×
  • Lajme
  • Lajme

    Gucati e Haradinaj para vendimit të Speciales: Me çka mund të përballen?

    FrontOnline
    17 Maj 2022

    Pas gati 600 ditësh qëndrimi në qendrën e paraburgimit në Hagë të Holandës, dy drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, do të mësojnë më 18 maj vendimin për ta, të marrë nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura ndryshe si Gjykata Speciale.

    Gucati dhe Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

    Si Gucati, ashtu edhe Haradinaj, mund të dënohen me nga gjashtë vjet burgim, në rast se gjykata bindet me propozimin e Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), e cila, pos dënimit me burgim prej gjashtë vjetësh, ka propozuar edhe një gjobë simbolike prej 100 eurosh për gjithsecilin.

    Nga koha e arrestimit të Gucatit dhe Haradinajt kanë kaluar gati 20 muaj.

    Gjatë tërë procesit të gjykimit, prokuroria ka insistuar se të dy ata, të organizuar, kanë synuar të dëmtojnë reputacionin e Gjykatës Speciale, si dhe të pengojnë punën e saj.

    “Ata i kryen krimet, sepse donin të pengonin punën e kësaj gjykate, të frikësonin dhe të merrnin hak kundër dëshmitarëve”, ka thënë prokurori i rastit, James Pacen, në fjalën e tij përfundimtare, derisa ka arsyetuar propozimin për dënimin e tyre me nga gjashtë vjet burgim.

    Gjykata Speciale dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë themeluar me vendim të Kuvendit të Kosovës në gusht të vitit 2015 dhe mision kanë hetimin e krimeve të pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

    Gucati dhe Haradinaj janë arrestuar në shtator të vitit 2020, pas dyshimeve se në disa konferenca për media nga selia e OVL të UÇK-së kanë shpërndarë dokumente të klasifikuara të Gjykatës Speciale.

    Siç pretendohet edhe në aktakuzë, në ato dokumente – kopje të të cilave u janë shpërndarë gazetarëve – ka pasur edhe emra të dëshmitarëve potencialë, që mund të dëshmonin kundër ish-eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë këtu edhe rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.

    Dhomat e Specializuara të Kosovës, pas rrjedhjes së këtyre dokumenteve, kanë refuzuar për një kohë të konfirmojnë autenticitetin e tyre, por, siç është dëshmuar gjatë procesit gjyqësor, gjykata dhe prokuroria iu referohen atyre si “dokumente zyrtare” të këtij institucioni. Ndërsa, OVL-UÇK ka thënë se këto dokumente i janë dërguar asaj nga një person anonim.

    Gucati e Haradinaj janë deklaruar të pafajshëm dhe, gjatë gjykimit, kanë insistuar se nuk kanë bërë asnjë shkelje ligjore. Ata i kanë cilësuar Dhomat e Specializuara të Kosovës si “gjykatë njëetnike” që, siç kanë thënë, synim ka vetëm “dënimin e shqiptarëve”, ndërsa amniston, sipas tyre, krimet e kryera nga forcat ushtarake e policore serbe në Kosovë.

    Gjatë gjykimit, ata kanë thënë se nuk e kanë ditur nëse dokumentet që i kanë publikuar, kanë qenë origjinale apo jo, porse kanë insistuar se Gjykata Speciale “është diskriminuese ndaj shqiptarëve”.

    Në fjalën përfundimtare të prokurorisë, kryeprokurori i ZPS-së, Jack Smith, i ka cilësuar Gucatin dhe Haradinajn si “të akuzuar unikë”.

    “Këta të akuzuar janë unikë, pasi ata nuk janë penduar. Ata kanë shkuar më tej dhe kanë thënë, në shumë mënyra, se do ta bëjnë këtë krim, apo një krim të ngjashëm edhe në të ardhmen, po t’iu jepej mundësia”, ka deklaruar prokurori Smith më 17 mars.

    Prokuroria ka insistuar vazhdimisht se masa më e përshtatshme për Gucatin e Haradinajn është dënimi me burgim.

    Cadman: Ky aktgjykim do të shpërfaqë përkushtimin e gjykatës ndaj drejtësisë

    Avokatët mbrojtës, Toby Cadman dhe Jonathan Rees, i kanë kundërshtuar provat e ofruara nga prokuroria.

    Në fjalët përfundimtare për këtë rast, të dy ata kanë thënë se prokuroria “ka dështuar” t’i mbështesë akuzat me prova.

    Cadman, avokat mbrojtës i Nasim Haradinajt, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk ka arritur të paraqesë prova bindëse për të shpallur fajtor klientin e tij.

    Ai ka thënë se është i bindur se gjyqtarët do t’i vlerësojnë provat në mënyrë të paanshme dhe se, në fund, do ta shpallin të pafajshëm klientin e tij.

    “Në parashtresat tona përmbyllëse, ne përcaktuam qëndrimin se prokuroria ka dështuar të prezantojë prova, për ta dëshmuar çështjen përtej dyshimit të bazuar. Z. Haradinaj e ka bërë mjaft të qartë në dëshminë e tij se besimin e ka në duart e gjyqtarëve, për të dhënë vendimin e duhur”, ka thënë Cadman për Radion Evropa e Lirë.

    Ai, po ashtu, ka shprehur bindjen se gjykata do të shpërfaqë, sipas tij, përkushtimin e qartë të saj në raport me drejtësinë.

    “Ky gjyq ka të bëjë me më shumë se fatin e klientit tim. Ka pasoja të gjera që shtrihen përtej katër mureve të ndërtesës së Gjykatës në Hagë. Bëhet fjalë për të ardhmen e Kosovës dhe të popullit të Kosovës. Bëhet fjalë për drejtësinë dhe për drejtësinë e mohuar – drejtësinë e mohuar për mijëra viktimat e agresionit serb”, ka thënë Cadman.

    Avokati mbrojtës i Gucatit, Jonathan Rees, ka thënë se nuk preferon të komentojë para shpalljes së aktgjykimit për këtë rast.

    Si ka rrjedhur gjykimi?

    Që nga fillimi i gjykimit ndaj Gucatit dhe Haradinajt janë paraqitur 14 dëshmitarë.

    Katër janë propozuar nga ZPS-ja, 6 nga Hysni Gucati, 4 nga Nasim Haradinaj. Numri i dëshmive me shkrim, ndërkaq, ka qenë 18. Dymbëdhjetë janë propozuar nga mbrojtja e Gucatit dhe gjashtë nga mbrojtja e Haradinajt.

    Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar gazetarë, punonjës të zyrës qendrore të OVL-UCK-së, ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si dhe zyrtarë të ZPS-së dhe të Dhomave të Specializuara.

    Si prova kryesore në këtë rast janë paraqitur video-incizimet e zyrës së OVL-UÇK-së, në të cilat Gucati e Haradinaj shihen duke mbajtur konferenca për media dhe duke prezantuar, siç është thënë, dokumente konfidenciale para gazetarëve. Në disa raste, ata akuzohen se kanë dhënë informacione tejet të ndjeshme për dëshmitarë të mbrojtur.

    Ku janë rastet e tjera?

    Aktualisht, në Dhomat e Specializuara të Kosovës drejt fundit është duke shkuar edhe procesi gjyqësor ndaj ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.

    Deri më tani, në këtë rast janë dëgjuar 13 dëshmitarë të propozuar nga ZPS-ja dhe 15 nga ekipi i mbrojtjes.

    Në anën tjetër, procesi gjyqësor kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit nuk ka nisur ende.

    Ata ndodhen në paraburgim në Hagë qysh në nëntor të vitit 2020. Prokuroria Speciale i ngarkon ata me veprat: përndjekje dhe burgosje, ndalim arbitrar, akte të tjera çnjerëzore, trajtim mizor, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

    Sipas prokurorisë, krimet e pretenduara janë kryer afërsisht në periudhën prill 1998 – gusht 1999, në disa zona në Kosovë dhe Shqipëri.

    Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi janë deklaruar të pafajshëm.

    Procesi gjyqësor nuk ka filluar ende as në rastin e të akuzuarit tjetër kosovar për krime lufte, Pjetër Shala.

    Gjykata Speciale në Hagë vepron në bazë të ligjeve të Kosovës, por me personel ndërkombëtar.

    Ideja për themelimin e saj ka pasuar një raport të Këshillit të Evropës, në vitin 2011, i cili ka përmbajtur akuza ndaj ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq e të tjera. Autor i këtij raporti ka qenë ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty.

    Themelimi i gjykatës dhe ngritja e akuzave janë përcjellë vazhdimisht me reagime dhe protesta në Kosovë, ku është thënë se, në këtë mënyrë, po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe, gjatë luftës në Kosovë, më 1998/99.

    Njoftimet nga KEDS për punimet në rrjet
    Nga Rubrika
    Lajme03 Maj 2024
    Të shtunën e 4 majit ashtu si në mbarë botën edhe në Kosovë festohet Dita Ndërkombëtare e Zjarrfikësve. Për ta shënuar këtë...
    Lajme03 Maj 2024
    Në fund të javës së ardhshme pritet që të përcaktohet agjenda e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe të ketë...
    Lajme03 Maj 2024
    Drejtori i Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla ka reaguar për gjuhën e përdorur nga deputeti Dimal Basha në studiot e RTK, duke e...
    Të tjera
    Sport03 Maj 2024
    Milot Rashica ka gjetur golin e pestë personal me fanellën e Besiktas në elitën e futbollit turk, në ndeshjen ku skuadra e...
    Lajme03 Maj 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se keqbërësit kibernetikë çdo ditë tentojnë të kryejnë sulme kibernetike të llojeve të ndryshme, duke shpresuar apo...
    Bota/Rajoni03 Maj 2024
    "Unë politikan nuk jam, jam veprimtar, dhe objekivi ynë është më i larti, dhe VLEN-in nuk e kemi pasur konkurrent, dhe në...
    Lajme03 Maj 2024
    Drejtori i televizionit në Radio Televizionin e Kosovës, Rilind Gërvalla i  ka drejtuar një letër organizatës “Reporterët pa kufij”, e ku tha se...
    Lajme03 Maj 2024
    Një rugovast është emocionuar gjatë takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, shkruan Gazeta Express. Ai tha se është dridhur kur e...
    Lajme03 Maj 2024
    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuhën e përdorur të deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha. Deputeti Dimal Basha e ka...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.