×
  • Opinione
  • Opinione

    Armiqtë e vërtetë të pushtetit

    FrontOnline
    21 Prill 2022

    “Nëse gazetarët heshtin, liria jonë është e humbur”, ka thënë gazetarja hulumtuese Daphne Caruana Galizia, e cila pas një serie shkrimesh për njerëzit e pushtetshëm e të korruptuar- vite më parë u vra nga një bombë e kurdisur në makinën e saj. Vrasja e gazetares malteze është një prej rasteve të shumta që për çdo vit ndodhin në vende të ndryshme të botës, e që e shpërfaqin ndjeshmërinë dhe rrezikun e të qenit gazetar në kuptimin plotë të fjalës.

    Në asnjë vend politikanët nuk ndihen rehat për shkak të ‘kontrollit’ nga mediet, mirëpo gazetarët – të paktën ata që jetojnë në shtetet demokratike – nuk e lodhin kokën për hatërmbetjet e tyre. Gjithçka është në suaza të së pranueshmes përderisa pushteti nuk tenton t’i vë mediet nën kontroll, apo t’i linçoj ato që i sheh si kundërshtare më të ashpra. Tendencat e tilla e rrezikojnë rendin demokratik dhe bëjnë që sistemet qeverisëse të rrëshqasin në regjime autokratike/totalitare.

    Me ngufatjen e lirisë së medias, ngufatet edhe liria e të shprehurit; me ngufatjen e lirisë së shprehjes, gradualisht vjen duke u ngufatur edhe liria e të menduarit. Për të mos ndodhur kjo, është e udhës që autoritetet qeverisëse t’i njohin mediet si “pushtet në vete”, ndërsa gazetarëve u takon ta dëshmojnë guximin, dijen dhe profesionalizimin në çdo rrethanë – edhe atëherë kur janë përballë figurave me ndikim që – për aq sa mund të tregohen arrogantë – dinë të jenë edhe kontrovers dhe manipulues.

    Gazetarët që nuk i çojnë në qiell politikanët para se t’ua parashtrojnë ndonjë pyetje sugjestive; që nuk pranojnë të përbuzen e të ofendohen nga kushdoqoftë; që nuk zmbrapsën së kërkuari llogari në interes të publikut; e mbi të gjitha që nuk kapen për hundësh, janë të njëmendtë dhe, si të tillë, pos që janë në shërbim të publikut, u ndihmojnë edhe pushtetarëve që të jenë të vëmendshëm, të korrigjohen e të mos rrëshqasin në veprime abuzive e korruptive.

    Sikur gazetarët të mos flisnin e të shkruanin për të bëmat e anëtarëve të partive që kanë (bashkë)qeverisur gjatë dy dekadave në Kosovë, nuk do të ishte krijuar klima për largimin e tyre nga pushteti. Por, është shkruar dhe është folur për abuzime me pozitat zyrtare; për përfitime materiale; për nepotizëm e mbipunësime; për hajni; për dhënie tenderësh e për ryshfet; për kapadaillëk të disa komandantëve të angazhuar në politikë; për ndikimin e politikës në sistemin e drejtësisë; për ndikimin e politikës në Polici, si dhe për degradimin e sistemit ekonomik, shëndetësor, gjyqësor, arsimor e social. Pra, është shkruar e folur për çfarëdolloj shkeljesh dhe abuzimesh që janë bërë nga të fortët e politikës. Ky trend nuk duhet të ndalet, pavarësisht ndërrimeve të pushteteve, sepse qytetarët nuk i japin askujt besimin për ta shkelur ligjin e as për t’u sjellë si padronë të institucioneve.

    Pushtetarët e sotëm, e të nesërm, nuk duhet t’i shohin gazetarët si armiq kur ata e kryejnë misionin që kanë sepse, fundja, armiq të asnjë qeverie, të cilësdo kohë a krah, nuk janë ata që kritikojnë, ata që i denoncojnë dhe që i luftojnë veprimet e këqija të pushtetarëve, por ata që e duartrokasin qeverinë pa e lodhur mendjen për të vërtetën për atë se çfarë po ndodhë. Këtë duhet ta kenë parasysh edhe militantët partiakë para se të hedhin gurë e vrer mbi këdo që shkruan dhe e flet të vërtetën, apo që i sfidon politikanët me pyetje edhe në momentet kur ata nuk e presin.

    KEDS njofton për punimet në rrjet, në këto vende do të ndalet rryma
    Nga Rubrika
    Opinione02 Maj 2024
    Nga: David A. Andelman / CNN Për 44 vjet, herë pas here isha banor i Francës, ndonjëherë në formë të përhershme, më...
    Opinione01 Maj 2024
    Nga: Daniel Michaels / The Wall Street Journal (titulli origjinal: NATO Prepares to Face Russia – and Problems of Its Own) Trupat...
    Opinione30 Prill 2024
    Nga: David Robson / The Atlantic Në vitin 1986, miliona filipinas dolën në rrugët e Manilës, duke protestuar në mënyrë paqësore (në...
    Të tjera
    Lajme03 Maj 2024
    Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, tha të premten se mezi pret të punojë...
    Bota/Rajoni03 Maj 2024
    Policia e Shtetit të Shqipërisë duhet të forcojë përpjekjet e të rritë e konsolidojë rezultatet, për të fituar sa më shumë besimin...
    Lajme03 Maj 2024
    Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë për FrontOnline se raporti i “Reporterëve pa Kufij” tregon se për tri vite rresht Qeveria Kurti...
    Sport03 Maj 2024
    Labinot Bajrami që vlerësohet si një nga sulmuesit më perspektiv në Zvicër, së fundmi ka vazhduar kontratën me Zurichun. Klubi ka njoftuar...
    Lajme03 Maj 2024
    Gjykata Themelore e Prishtinës më 03.05.2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Arian Sijarinën, i cili dyshohet se në...
    Bota/Rajoni03 Maj 2024
    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj nga dita e sotme është “Qytetar Nderi” i arbëreshëve të Kalabrisë. Këtë titull, të parit të shtetit,...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.