Një person ka mbetur i lënduar në një aksident trafiku që ka ndodhur sonte në fshatin Gllarevë të Klinës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Pejës, Driton Rugova tha se në aksident janë përfshirë dy vetura.
“Sot rreth orës 18:30, Policia është informuar për një aksident trafiku i cili ka ndodhur në fshatin Gllarevë, në këtë aksident kanë qenë të involvuara dy vetura dhe si pasojë e aksidentit një person ka pësuar lëndime trupore, i lënduari është dërguar në spitalin rajonal në Pejë”, është shprehur Rugova.
Përveç dëmeve materiale, ende nuk dihet për pasojat eventuale në njerëz nga ky aksident.
Ndryshe, në 24 orët e fundit në Kosovë kanë ndodhur 70 aksidente trafiku, një prej tyre ishte me fatalitet kurse në 17 aksidente kishte persona të lënduar./FrontOnline