
Portali “Front Online” ditë më parë ka botuar një hulumtim, të bazuar në dokumente zyrtare, ku bëhej e ditur se sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës(MI, Betim Reçica, në kundërshtim me Ligjin ka marrë vendim për kompensim në mënyrë retroaktive të dy inxhinierëve të kësaj Ministrie në vlerë prej më shumë se 50 mijë euro.
Në vendimin numër 8778 i protokolluar më 14.08.2019, e të cilin e ka siguruar “Front Online”, thuhet sekretari i ministrisë ka nxjerr këtë vendim për kompensimin financiar (shtesa mujore në paga) të inxhiniereve në bazë të vendimit të kryeministrit të Republikës së Kosovës numër 07/29 të datës 08.10.2018.
“Hysen Merovci, inxhinier i ndërtimtarisë dhe Ardian Begaj, inxhinier i ndërtimtarisë kompensohen me nga 250 euro shtesë në muaj. Obligohet departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi në mënyrë retroaktive nga 30.07.20108. Inxhinieret që janë punësuar pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi shtesat e i marrin prej datës së hyrjes në punë” thuhet në vendimin e siguruar nga “Front Online”.
Në anën tjetër, Ministria e Infrastrukturës nëpërmjet një reagimi është munduar ta demantoj këtë hulumtim, ndonëse nuk ka ofruar asnjë dëshmi të vetme.
Ky është reagimi i plotë i MI-së:
” Reçica fsheh vendimin për “dhuratën” mbi 50 mijë euroshe për dy inxhinierët e Ministrisë”
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit (MIT), reagon ndaj shkrimit të së martës në „Frontonline“ të publikuar më 14.10.2019.
Në këtë shkrim, ka shumë të pa vërteta duke filluar nga titulli e për të vazhduar mëtej. Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, në asnjë situatë nuk jep dhurata, por i zbaton ligjet e Republikës së Kosovës dhe vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës.
Prandaj, shkrimi përveç që është tendencioz dhe prezanton një pasaktësi totale, i njëjti ka për qëllim që të krijoi konfuzion nga burime të dyshimta dhe nga persona të pakënaqur ndaj të cilëve kohë më parë MIT ka ndërmarrë masa, si rezultat i vendimeve gjyqesore.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit, mbetet e zotuar në zbatimin e Ligjit të Republikës së Kosovës.
Reçica fsheh vendimin për “dhuratën” mbi 50 mijë euroshe për dy inxhinierët e Ministrisë