Në orën 18:00 është dashur të nis seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Vendimi për mbajtjen e seancës është marrë pas kërkesës së 41 deputetëve.
Për postin e presidentit kandidojnë: Vjosa Osmani dhe Nasuf Bejta. Që të dy në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë kandiduar me Listën e Osmanit, që garoi në kuadër të listës së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
Që prej 5 nëntorit, 2020, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit, pasi Hashim Thaçi ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Pa pjesëmarrje në votim të të gjithë deputetëve të LDK-së, Vetëvendosje do ta ketë të pamundur të zgjedhë presidentin e Kosovës.
LVV ka 58 ulëse në kuvend, kurse Lidhja Demokratike e Kosovës i ka 15.
PDK ka 19 deputetë dhe
AAK ka tetë deputetë;
Nga komunitetet, Lista Serbe, në zgjedhje i ka fituar dhjetë ulëset e garantuara; dy ulëse i ka fituar Partia Demokratike Turke e Kosovës dhe nga një ulëse kanë fituar partitë boshnjake Koalicioni Vakat, Partia e Re Demokratike, Unioni Socialdemokrat, sikurse edhe Partia Gorane, Iniciativa e Re Demokratike e Kosovës, Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Iniciativa Rome, Lëvizja Përparimtare e Romëve të Kosovës.
Për zgjedhjen e presidentit, në dy votimet e para nevojiten dy të tretat e votave e që i bie 80 vota për të deputetëve.
Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.
Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh./Front Online
https://www.facebook.com/FrontOnlineMedia/videos/903544580407746