– Të pandehurit D.R., dhe E.R., në bashkë kryerje, me datë 24 mars, në orët e vona të natës, në Prizren, i shkaktojnë lëndime të rënda trupore të dëmtuarit, në atë mënyrë që paraprakisht kishin qenë në një kafiteri ku kishin konsumuar alkool dhe nga i dëmtuari ishin fyer e sharë, në momentin kur i dëmtuari kishte dalë nga kafiteria, të pandehurit u ishin vënë pas duke e ndjekur me automjetin e tyre, tutje të pandehurit e shfrytëzojnë momentin e duhur kur në rrugë nuk ishte askush përveç të dëmtuarit, ashtu që në anën e majtë të rrugës e ndalin automjetin, që të dy dalin nga automjeti, shkojnë në drejtim të të dëmtuarit në anën e kundër të rrugës, u ofrohen të dëmtuarit, të cilin me grushte fillimisht e godet nëpjesën e fytyrës i pandehuri D.R., nga e cila goditje i dëmtuari bie në tokë, me këtë rast të dy të pandehurit e godasin me shqelma në pjesën e kokës, e lënë të shtrirë në tokë dhe largohen nga aty, ndërsa i dëmtuari haset i shtrirë nga një kalimtar rasti i cili përmes telefonit Emergjencën.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës vlerëson se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, duke pasur parasysh faktin se të pandehurit veprën penale dyshohet se e kanë kryer më datë 24 mars, ndërsa më pas kanë ikur nga vendi i ngjarjes, dhe pas veprimeve operative e hetimore të organeve të ndjekjes ata janë identifikuar dhe arrestuar më datë 26 mars, shton dyshimin e bazuar që nëse të njëjtëve nuk iu caktohet paraburgimi, ata mund të arratisen dhe të jenë të pa kapshëm për organet e drejtësisë në faza tjera të procedurës penale, me çka do paraqiste pengesë reale për zhvillimin e rregullt të procedurës hetimore në këtë çështje penale.
Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i paraburgimit ndaj të pandehurve është masë konkrete, duke marrë parasysh edhe karakteristikat personale të të pandehurve dhe sjelljen e mëparshme të tyre, duke u bazuar në informacionin nga evidenca për të kaluarën kriminale, rezulton se të pandehurit e lartcekur janë recidivistë, kryerës të mëhershëm të veprave penale të natyrës së njëjtë, por edhe të natyrave tjera.
Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.