Kanabisi sjellë fitime të paligjshme për një pjesë të madhe të shoqërisë në Shqipëri, duke filluar nga fshatarët që kultivojnë bimën e deri tek grupet e krimit të organizuar që e transportojnë atë jashtë kufijve dhe e shesin në vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Në kulmin e kultivimit, periudhën 2016–2017, llogaritet se kanabisi solli 2.2 miliardë euro.
Kështu thuhet në raportin e Nismës Globale Kundër Krimit të Organizuar me titull: “Prurjet Financiare të Paligjshme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut”, i botuar në gusht të vitit 2020. Aty potencohet fakti se kanabisi i kultivuar në Shqipëri trafikohet përtej kufirit në Kosovë për përdorim të brendshëm dhe për transportim në vendet e Bashkimit Evropian. Krahas kësaj, e njëjta bimë, kalon në Maqedoninë e Veriut, prej nga kryesisht më pas orientohet drejt tregjeve turke, bullgare dhe rumune.
Ekspertë të sigurisë në Shqipëri kanë deklaruar për “Front Online” se trafiku i narkotikëve në Shqipëri ka pasur një hov në dekadën e fundit. Kjo, sipas tyre, është theksuar edhe më tepër gjatë qeverisjes së kryeministrit aktual, Edi Rama. Grupet kriminale, siç thonë njohësit, janë bërë më të sofistikuara, madje edhe sesa vetë organet ligjzbatuese. Policia, Prokuroria dhe SHISH – Shërbimi Informativ Shqiptar janë një hap prapa tyre si në infrastrukturën logjistike ashtu edhe në burimet njerëzore.
Lavdrim Lita, gazetar – dikur edhe këshilltar i ish-Ministrit të të Brendshëm të Shqipërisë, Dritan Demiraj, deklaron për Front Online se tregu i narkotikëve në Shqipëri ka pasur një hov cilësor në dekadën e fundit. Sipas tij ka dyshime se edhe vetë institucionet e sigurisë janë infiltruar në krim të organizuar.
“Sipas një informacioni të SHISH për krerët e Shtetit, plotë 124 zyrtarë të Policisë së Shtetit ishin përfshirë në aktivitet të narkotrafikut gjatë viteve 2015-2017. Pra, kemi një infiltrim të institucioneve nga element të krimit të organizuar”, thotë Lita.
Lita ka shtuar se grupet kriminale shqiptare të strukturuara në Shqipëri janë të pakta, ndërsa pjesa më e madhe e tyre, siç thotë ai, veprojnë në disa shtete të Evropës si: Itali, Hollandë, Belgjikë, Angli dhe Spanjë.
“Janë këto grupe që shpesh i qërojnë hesapet në Shqipëri me njëri-tjetrin, kur ka prishje të pazareve të narkotrafikut. Aktualisht kemi më shumë sesa tre grupe që po ekzekutojnë njëri-tjetrin në Elbasan, Vlorë dhe Durrës. Këto grupe janë të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës nga Amerika Latine në Evropë: Ekuador, Kolumbi dhe Bolivi”, shprehet Lita për Front Online.
Mbi 2 miliardë € fitimet vjetore nga kanabisi në Shqipëri, Rama nuk i luftoi grupet kriminale