Shefi i Grupit Parlamentar i Nismas Socialdemokrate, Endrit Shala ka thënë që kjo parti është e gatshme për zgjedhjet e parakohshme të cilat pritet që të mbahen se shpejti.
Këto deklarata ai i bëri në një lidhje direkte në emisionin “Frontal”, në T7.
“Nisma si subjekt politik është e përgatitur gjithmonë për zgjedhje kurdo që ato të mbahen. Tani e kemi një vendim të Kushtetuese që ne e respektojmë dhe vazhdojmë më tutje“, ka thënë ai.
Shala ka folur edhe për mundësinë që Nisma të shkojë e vetme në zgjedhje apo të bvëj koalicion me ndonjërën nga partitë politike në vend.
“Ne nuk kemi marr vendim ende për këtë çështje. Normalisht ajo çfarë mendon shumica e udhëheqjes së Nismas dhe është kërkesë e shumicës është që Nisma të garojë e vetme. Ne jemi të gatshëm që të garojmë të vetëm. Por me diskutim me të tjerët ne së shpejti do ta marrin një vendim“, ka thënë më tutje ai.
Anëtari i Nismas foli edhe për ofertat që ka Nisma nga partitë e tjera për koalicion.
“Nga organet drejtuese të Nismas do të marrët vendim dhe ne do të tregojmë se a do të shkojë Nisma e vetme apo në koalicion. Kemi oferta të shumta nga parti të tjera për të bashkëpunuar”, ka thënë ai.