Dy vjedhje kanë ndodhur në Prishtinë e një në Podujevë, gjatë 24 orëve të fundit. Hajnat të maskuar e nën kërcënim të armëve kanë vjedhur 2 mijë e 400 euro.
Njëri rast ka ndodhur në një bankë në rrugën “Edmond Hoxha” në Prishtinë, ku dy punonjëse kanë lajmëruar policinë se derisa ishin në vendin e punës një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës ka grabitur rreth 500 euro.
“Rr. Edmond Hoxha, Prishtinë 19.12.2020 – 10:20. Ankueset femra kosovare, kanë informuar se deri sa ishin në vendin e punës në bankë, një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës, kishte grabit rreth 500 euro para të gatshme. Nuk raportohet për të lënduar, rasti është duke u hetuar”, ka njoftuar Policia në raportin 24 orësh.
Tjetri rast ka ndodhur në rrugën “Bill Klinton”, po ashtu në Prishtinë, ku hajnat kanë vjedhur rreth 1 mijë euro.
I dyshuari, derisa ka ikur nga vendi i ngjarjes ka hasur në sigurimin ndaj të ciëve ka shtënë me armë zjarri.
“ Rr. Bill Klinton, Prishtinë 19.12.2020 – 10:39. Ankuesja femër kosovare ka informuar se deri sa ishte në vendin e punës, një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës, kishte grabit rreth 1000 euro para të gatshme. Gjatë ikjes, i dyshuari kishte hasur në sigurimin privat, i njëjti ka shtënë dy herë në drejtim të tyre. Nuk raportohet për të lënduar. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një gëzhojë”, ka njoftuar Policia.
Një rast tjetër i grabitjes ka ndodhur në rrugën “Ilir Konushefci” në Podujevë, mbrëmjen e së shtunës.
Atje, hajnat kanë vjedhur 900 euro në një pompë të derivateve.
“Rr. Ilir Konushefci, Podujevë, 19.12.2020 – 22:50. Viktima mashkull kosovar ka raportuar se deri sa ishte në vendin e punës në pompën e derivateve, një person i dyshuar me maskë dhe nën kërcënimin e thikës i kishte grabitur para të gatshme 900 € dhe ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, nuk raporton për të lënduar por janë duke kërkuar personin e dyshuar”, ka bërë të ditur Policia.