Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione në një mbledhje ku i pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit, Ramë Likaj, ka kërkuar që të hiqet udhëzimi administrativ i cili ua ndalon vajzave bartjen e mbulesës në shkolla.
Duda Balje, nga ky komision, e ka potencuar fuqinë e Likajt si ministër që ta lejojë një gjë të tillë, ndërsa Besa Ismajli, po ashtu pjesë e këtij komisioni ka kërkuar nga ministri t’ia shpjegojë se në çfarë ligji është i bazuar udhëzimi që ka vënë një ndalesë të tillë.
Mirëpo, Likaj ka deklaruar se Kosova është shtet laik dhe se janë këshilluar edhe me Avokatin e Popullit sa i përket mbulesës në shkolla.
“Unë i kam kërkuar mendim edhe zyrës së Avokatit të Popullit. Unë vet jam besimtar, por nuk e praktikoj. Por, urdhëresa administrative e ministrit është e bazuar në ligjin për arsimin profesional”, ka thënë Likaj.
“Bazuar në Gjykatën Kushtetuese si dhe bazuar në Gjykatën Evropiane, kufizimi i lirisë fetare në bartjen e shamisë bëhet me qëllim të pajtimit të interesave të ndryshme, ku bartja e shamisë mund të ketë efekt në imponimin e saj./FrontOnline/