Prokurori libanez që po e heton shpërthimin e verës së kaluar në portin e Bejrutit ka ngritur aktakuzë kundër kryeministrit të përkohshëm dhe tre ish-ministrave, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e këtij shteti.
Fadi Saëan ka ngritur aktakuzë kundër kryeministrit Hassan Diab, i cili dha dorëheqje nga posti disa ditë pas shpërthimit, por ka mbetur në pozitë si ushtrues i përkohshëm i detyrës. Aktakuza u ngritën edhe kundër ish-ministrit të Financave, Ali Hassan Khalil, dhe ish-ministrave të Punëve Publike, Ghazi Zaiter dhe Youssef Fenianos.
Katër personat a akuzuan për neglizhencë që e solli shpërthimin, ku mbi 200 persona mbetën të vrarë e mijëra të tjerë u lënduan. Shpërthimi ishte shkaktuar nga ndezja e rezervave të mëdha të materialit shpërthyes, i cili ndodhej në port për vite të tëra me dijeninë e zyrtarëve të lartë të sigurisë dhe politikanëve.
Këta individë janë zyrtarët më të lartë ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë deri më tani. Hetimet janë duke u zhvilluar në mënyrë sekrete. Shumë qytetarë janë të zemëruar me zhvillimin e ngadaltë të hetimeve, mungesën e përgjigjeve dhe me faktin që ende deri më tash nuk ishte ngritur aktakuzë ndaj zyrtarëve.
Si pjesë e hetimeve, autoritetet i kanë ndaluar edhe rreth 30 zyrtarë tjerë të sigurisë, punëtorë të portit dhe zyrtarë të doganave.