Kryetari i PDK’së, Enver Hoxhaj, i ka vlerësuar lart deklaratat e dhëna nga ish-sekretarja e SHBA’së, Madeleine Albright, të dhëna sot përgjatë fjalimit të saj në Komitetin e Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, duke thënë se i bëjnë nder Kosovës.
Hoxhaj këto komente i ka bërë në llogarinë e tij në ‘Facebook’, teksa ka shtuar se fjalimi i saj ka përçuar një mesazh për botën, e në veçanti për Serbinë.
Tutje, Hoxhaj ka thënë se Kosova duhet të jetë me fat që ka pasur në krah SHBA’në dhe Albright.
Postimi i plotë:
Ish sekretarja e SHBA-ve, një ndër gratë më të guximshme dhe politikanet më të dashura për ne, Madeleine Albright, edhe sot, sikur gjatë gjithë jetës së saj, i doli në mbështetje Republikës së Kosovës dhe të drejtës historike.
Në fjalimin e saj në Komitetin e Punëve të Jashtme Dhomës Përfaqësuese, duke folur për politikat për Ballkanin, Albright përsëriti faktin që Serbia ka kryer krime në Kosovë dhe Bosnje.
Ndërkaq, duke e njohur Kosovën si shtet me të gjitha kapacitetet e saj, ajo dërgoi një mesazh të qartë për botën demokratike në përgjithësi, dhe Serbinë në veçanti.
Deklarata e saj sot se Kosova duhet të jetë një vend normal si pjesë e sistemit ndërkombëtar dhe në asnjë formë subjekt i vetos nga Beogradi, i bën nder edhe një herë Kosovës dhe të ardhmes së saj.
Kosova, populli i Kosovës, është me fat që gjithmonë në anën e saj ka pasur sekretaren Albright dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si ruajtës të paqes dhe të drejtës në botë ?? ??
Faleminderit mikja jonë e çmuar!