Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka ndarë dekorata post-mortum me Medalje Presidenciale të Meritave për 18 profesionistët shëndetësorë që humbën jetë në detyrë në luftën me COVID-19.
Osmani tha se nuk ka njerëz më meritorë se sa mjekët dhe infermierët, të cilët deri në frymën e tyre të fundit i qëndruan besnik betimit që kanë dhënë për t’u shërbyer pacientëve.
Ajo tha se bazuar në përgjegjësitë e saj kushtetuese me Medalje Presidenciale të Meritave po nderon sot profesionistët shëndetësorë që humbën betejën me COVID-19.
Osmani: Profesionistët shëndetësorë deri në frymën e fundit i qëndruan besnik betimit
“Këto momente të rënda që po kalojmë si shoqëri, por edhe gjithë bota, nuk ka njerëz më meritorë, të cilët e meritojnë nderimin dhe respektin tonë sesa njerëzit të cilët deri në frymën e fundit treguan se çka do thotë përkushtimi për pacientë. Deri në frymën e fundit i qëndruan besnik betimit që e dhanë qysh nga dita e parë që filluan profesionin e tyre mjekësor dhe deri në fund ata dëshmuan se çka do thotë sakrifica më sublime deri edhe në dhënien e jetës, në mënyrë që t’i shërbejnë pacientët e tyre. Prandaj, në përputhje me përgjegjësitë e mia kushtetuese besoj se askush nuk do të meritonte më shumë se sa doktorët dhe infermierët që sot i nderojmë me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin e tyre në fushën e shëndetësisë dhe përkushtimin e tyre human mbi të gjitha ndaj pacientëve të tyre. Por ata nuk i shërbyen vetëm pacientëve, por një shteti të tërë një shoqërie të tërë“, tha Osmani.
Për të marrë medaljen e nderimin për të birin e saj i cili e humbi betejën me COVID-19 duke shërbyer, sot në Presidencë erdhi edhe Fatime Berisha, nëna e doktorit Gëzim Berisha.
Derisa u shpreh se është krenare për djalin që kishte dhe punën që ai kishte bërë në mbrojtje të jetës së qytetarëve, kjo nënë tha se deri tani nuk e kishte ditur se çfarë djali kishte.
Berisha: Nuk e kam ditur çfarë djali kam pasur
“Nuk më ka treguar se çka ka bërë dhe se çfarë ka mësuar dhe çfarë ka dhënë për juve dhe këtë vend. Pak pa dhënë shpirt, m’i ka thënë të gjitha edhe nuk e kam ditë se e kam atë farë djali”, tha Berisha.
Këta janë disa nga të dekoruarit post-mortum nga u.d. e presidentes Vjosa Osmani:
Doktorët:
Sylejman Rexhepi
Ali Tolaj
Burim Krasniqi
Fadil Zuka
Feti Hetemi
Gëzim Berisha
Fitim Zarari
Sedat Hoti
Mynafir Beshiri
Personeli tjetër shëndetësor:
Bashkim Qollopegu
Kujtim Macula
Sherafedin Mehmeti
Shkurte Gecaj
Vjollca Berisha
Albert Rexhaj