Përkundër se në dy seancat e fundit koalicioni qeverisës nuk ka arritur të kaloi me shumicë të thjeshtë projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, kryeministri Avdullah Hoti e ka mohuar se nuk i kanë votat e mjaftueshme për të shtyrë përpara projektligjin.
Ai theksoi se momentin që nuk i kanë 61 vota në Kuvend, qeveria do të bie, derisa paralajmëroi se në seancën e të premtes do të kalojë ky stimulim financiar për qytetarët.
Hoti pas një diskutimi me odat ekonomike në Kosovë, foli edhe për raportin e tij me presidentin Thaçi, ku tha se nuk është kryeministër për konfrontuar me askënd brenda institucioneve.
“Në atë moment që qeveria nuk ka 61 vota në Kuvend, qeveria bie. Ne kemi më shumë se 60 vota në Kuvend. Arsyeja që në disa seanca nuk ka kaluar ky ligj dhe disa ligje tjera është për shkak se dhjetëra deputet të pozitës dhe opozitës kanë qenë të prekur nga Covid. Unë besoj që në seancën e ardhshme janë shumica e deputetëve, gjithë e kanë kaluar këtë situatë dhe do të jenë në sallë dhe do t’i kalojmë ligjet”, tha ai.
I pyetur nga KosovaPress se a do ta pres fati i njëjtë sikur dy kryeministrat Haradinaj e Kurti pas përplasjeve me presidentin Hashim Thaçi, kreu i qeverisë tha se do të bëjë vetëm detyrën e tij me përkushtim maksimal deri në fund të mandatit.
“Unë nuk jam kryeministër për t’u konfrontuar me askënd brenda institucioneve, por për të kryer detyrën time me përkushtim maksimal deri në fund të mandatit”
Për projektligjin e rimëkëmbjes ekonomike, kryeministri Hoti kërkoi edhe mbështetjen edhe të partive opozitare. Ndërkohë gjatë këtij takimi paralajmëroi edhe rishikim të masave restriktive për Covid-19.