Policia e Kosovës ka njoftuar se ka dënuar më shumë se 50 automjete të cilat kanë lëvizur nëpër disa rrugë në Prizren pa sinjalizues dhe drita në orët e vona të mbrëmjes.
Kryesisht bëhet fjalë për automjete bujqësore të cilat kanë lëvizur në rrugët Prizren-Gjakovë (Piranë-Krushë e Vogël) , Prizren-Suharekë në fshatin Lubizhdë dhe në aksin rrugor Suharekë-Mamushë.
“Me qëllim parandalimin e aksidenteve në trafik e sidomos atyre me fatalitet, lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e parregullsisë së gjendjes teknike të makinave bujqësore dhe lëvizjes së tyre gjatë orëve të mbrëmjes, dhe të njëjtat si shkak i parregullsisë teknike pa sinjalizim dhe drita, policia rajonale në Prizren, konkretisht njësia e komunikacionit rrugor, ka ndërmarrë dhe zhvilluar një plan operativ nga data 12 shtator 2020, duke kontrolluar zonat që konsiderohet si më të rrezikshme e ato janë:
-Rruga magjistrale Prizren-Gjakovë në aksin rrugor Pirane-Krushë e Vogël;
-Rruga magjistrale Prizren-Suharekë nga fshati Lubizhdë deri në Suharekë, dhe;
-Suharekë-Mamushë në fshatrat Reshtan-Studenqan”, thuhet në njoftim.
“Në këto rrugë për shkak të zonave bujqësore, ka lëvizje të makinerive dhe mjeteve bujqësore të cilët paraqesin rrezik në komunikacion.Gjatë kontrollimit të këtyre mjeteve, policia gjatë kësaj periudhe ka gjetur parregullsi dhe ka shqiptuar dënime për 50 automjete.Policia do të vazhdojë edhe me tutje me këtë plan operativ, duke pasur si gjithmonë parasysh krijimin e kushteve të sigurta, për pjesëmarrësit në komunikacion, e sidomos mjetet bujqësore që paraqesin rrezik në komunikacion për shkak të gjendjes së tyre jo të rregullt teknike dhe pa drita sinjalizuese”, përfundon njoftimi.