Ish-deputeti, Milaim Zeka, ka thënë që publikimi i dosjeve që u dorëzuan dje në zyret e OVL-së së UÇK-së, ta përshpejtojë shumë sipas tij, arrestimin e njerëzve që në kushte normale, nuk do të arrestoheshin deri në vitin e ardhshëm.
“Do të ishte skandal, nëse nga Gjykata Speciale, do të dilnin dëshmitë ose video – inçizimet që i kanë dhënë dëshmitarët. Pjesa dërrmuese e këtyre dosjeve, flet për komunikimin e Gjykatës me palën serbe. Kështu që, me ose pa qëllim ata që e kanë krijuar një gjë të tillë, për të ardhmen e gjithë kjo do të kthehet në bumerang kundër drejtësisë së Kosovës dhe kundër shtetit.
“Të paktën, politikanët e mençur, e dinë që më përpara zhbëhet shteti i Kosovës sesa Gjykata Speciale (hiqen njohjet, pavarësia e Kosovës)”, ka thënë Zeka në Info Magazine në Klan Kosova.
Zeka ka thënë që edhe në kohën kur ka qenë deputet, ka pasë tentativa për tu zhbërë Gjykata Speciale.“Unë kam qenë kundër dhe e kam thënë publikisht se sikur unë ta di që dënohem me 40 vjet burgim, nuk e qes në luhajë pavarësinë e shtetit të Kosovës”, është shprehur Zeka.