Rrjeti terrorist Al Qaeda kërcënoi sërish të përjavshmen satirike franceze ”Charlie Hebdo”, që ribotoi karikaturat mbi profetin Muhamed, origjina e sulmit terrorist të 7 janarit 2015, ku humbën jetën 12 persona dhe u plagosën 11 të tjerë.
Njoftimi vjen nga Site, që monitoron aktivitetin xhihadist të kësaj organizate terroriste.
Rita Katz, drejtoreshë e Site, specifikon se me rastin e përvjetorit të 11 Shtatorit, Al Kaeda ka lëshuar versionin në anglisht të numrit 3 të revistës ”One Ummah”.
Publikimi i ri përmban profilet e organizatorëve të 11 Shtatorit, dëmtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një artikull për ‘Charlie Hebdo”, shkruan Katz, duke shtuar se do të ketë edhe një fjalim nga udhëheqësi aktual i Al Kaedas, Ayman al Zawahiri.
”Në këtë revistë është shkruar se ‘Charlie Hebdo’ do të paguajë përsëri një çmim”, thotë Katz në një shënim në Twitter.