×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Raporti i Senatit me hollësi të reja mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet e vitit 2016

    FrontOnline
    19 Gusht 2020

    Një proces dypartiak hetimor mbi përpjekjet e Rusisë pët të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016 arrin në përfundimin se Moska përdori me sukses një rrjet operativësh si dhe masash për të futur në grackë anëtarë të fushatës Trump, duke i lënë disa prej tyre të hapur ndaj manipulimeve.

    Raporti arrin në përfundimin se kreu i fushatës Trump, Paul Manafort përbënte “kërcënim të rëndë për kundërzbulimin” si rezultat i lidhjeve me individë të afërt me Kremlinin. Por raporti shton gjithashtu se hetimet e FBI-së mbi ndërhyrjet ruse “kishin probleme”.

    Raporti i bërë publik të martën nga Komisioni i Senatit për Zbulimin është i pesti mbi këtë temë dhe përfaqëson përmbylljen e një pune tre vjeçare. Në të përfshihen intervista me qindra dëshmitarë si dhe rishikimi i mbi 1 milion faqeve me dokumente.
    Raporti përqëndrohet tek individë të caktuar në Rusi dhe brenda fushatës Trump, si dhe përpjekjeve nga agjenci ruse të zbulimit dhe organizata të ndryshme si WikiLeaks, të cilat sipas raportit “me shumë gjasë ishin të vetëdijshme se po ndihmonin zbulimin rus”.

    Megjithëse raporti nuk identifikon prova se zyrtarë të fushatës Trump me dijeni dhe ndërgjegje punuan me rusët gjatë zgjedhjeve, ai arrin në përfundimin se, ose të nxitur nga ambicjet ose si rezultat i naivitetit, zyrtarët nuk përfillën mundësinë se po mbështeteshin nga Kremlini.

    Për shembull raporti thekson se me publikimin nga WikiLeaks të dokumenteve të Komitetit Kombëtar Demokrat, të siguruara nga hakerimi rus, fushata e zotit Trump u përpoq të përfitonte sa më shumë përmes “ndikimit të këtyre publikimeve për të shtuar shanset e zotit Trump për zgjedhje”.

    Raporti ngre shqetësime për rolin e zotit Manafort, një operativ republikan dhe lobist ndërkombëtar që u përfshi në fushatën e zotit Trump në mars 2016.

    “Prania e zotit Manafort në fushatë dhe afërsia me zotin Trump i krijuan mundësi zbulimit rus të ushtronte influencë dhe të siguronte informata konfidenciale,” thoshte raporti.

    Zoti Manafort u shpall fajtor për evazion fiskal e manipulim bankar gjatë një tjetër procesi hetimor të hapur nga Prokurori Special, Robert Mueller. Ai u lirua nga burgu disa muaj më parë.

    Por raporti ngre shqetësime për lidhjet e vjetra të zotit Manafort me oligarkun rus Oleg Deripaska, i cili dihej se drejtonte operacione nën udhëzimet e Kremlinit, nganjëherë me ndihmën e zotit Manafort, si dhe me përfshirjen e zyrtarit të zbulimit rus, Konstantin Kilimnik.

    Në veçanti, raporti shpreh shqetësim për lidhjet Manafort-Kilimnik, të cilat i cilëson si “të ngushta dhe të gjata”.

    “Në disa raste Paul Manafort u përpoq t’i përcillte zotit Kilimnik informata sekrete mbi fushatën,” thotë raporti.

    “Komisioni nuk arriti të vërtetonte përse zoti Manafort përcillte të dhëna të tilla dhe kujt ia kalonte këtë informacion Kilimnik”.

    Raporti thotë se Rusia kishte shfrytëzuar edhe mënyra të tjera për të ndikuar tek njerëz të afërm me zotin Donald Trump.

    “Rusia shfrytëzoi mungesën e eksperiencës në politikë të pjesëtarëve të ekipit të zotit Trump për tranzicionin, rezistencën nga politikanë të administratës së zotit Obama dhe dëshirën e zotit Trump për të forcuar lidhjet me Rusinë, duke ndjekur një diplomaci përmes kanaleve jozyrtare,” thotë raporti.

    Hetuesit nënvizojnë se “një objektiv me interes për Rusinë ishte ekzistenca e një kuadri me konsulentë jo-zyrtarë në ekipin e tranzicionit të zotit Trump, të cilët gëzonin nivele të ndryshme konfidence tek presidenti i zgjedhur, si dhe nivele të ndryshme njohurishë për sjelljen në politikën e jashtme”.

    Por raporti gjithashtu nuk kursen kritikat në adresë të reagimit të institucioneve, si FBI-ja apo kundërzbulimi ndaj veprimeve të Rusisë.

    “Komisioni arriti në përfundimin se FBI-ja nuk kishte një proces zyrtar për t’u rënë këmbanave të alarmit lidhur me hakerimin e dokumenteve të Komitetit Demokratik Kombëtar,” thotë raporti.

    Autorët kritikojnë ashpër FBI-në pasi rendën me entuziazëm të pajustifikueshëm pas një dosjeje të përgatitur nga një ish-agjent zbulimi britanik, e cila përfshinte informata joshëse, por jo të verifikuara se Rusia mund t’i kishte bërë presion zotit Trump.

    Raporti thotë se FBI-ja “nuk e adaptoi si duhet metodologjinë lidhur me dosjen e ish-agjentit Christopher Steele, pasi një nga burimet e tij ofroi të dhëna që ngrinin dilema serioze për përshkrimet e zotit Steele”.

    Megjithëse raporti është përgatitur në mënyrë dypartiake, udhëheqësit e Komisionit të Senatit për Zbulimin dolën me konkluzione të ndryshme në komentet publike të martën:

    “Mund të themi pa hezitim, se Komisioni nuk ka gjetur asnjë provë se zoti Trump dhe fushata e tij kishin bashkëpunuar në mënyrë të fshehtë me Rusinë për të ndikuar tek zgjedhjet e 2016-tës,” tha Senatori republikan Marco Rubio.

    Zoti Rubio shtoi se përdorimi i dosjes Steele nga FBI-ja ishte shqetësues, por shtoi gjithashtu se kishte prova të pamohueshme se Rusia ishte përpjekur të ndërhynte në zgjedhje.

    Senatori demokrat Mark Warner foli për kontakte shokuese mes zyrtarëve të fushatës Trump dhe operativëve të Kremlinit që përbëjnë kërcënim real për kundërzbulimin.

    Në një raport të mëparshëm të publikuar në prill, komisioni i Senatit doli me përfundimin se ka prova të forta se Rusia u përpoq të ndikonte në zgjedhje në favor të zotit Trump./voa/

    Zgjerimi i Comoditës në SHBA: “Nap Queen Sleep”, krenaria e shqiptarëve
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    Nga shtëpia e tij, ku qëndron në arrest prej dhjetorit, Sali Berisha ka bërë një postim në rrjetet sociale, me rastin e...
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    “BE ka nevojë për energji të reja dhe freski, prandaj duhet të përshpejtohet menjëherë procedura e zgjerimit”, kështu u shpreh ministri hungarez...
    Bota/Rajoni15 Tetor 2024
    “Ne do ta bëjmë gati Shqipërinë për Bashkimin Evropian brenda vitit 2030”, u shpreh kryeministri shqiptar Edi Rama nga Luksemburgu, ku pritet...
    Të tjera
    Lajme15 Tetor 2024
    Ish-deputetja e LVV-së, Shqipe Pantina ka folur për “Front Online” lidhur me veturat e zyrtarëve që po keqpërdoren me tabela civile. Pantina...
    Lajme15 Tetor 2024
    Një burrë në Prizren ka njoftuar policinë se i është vjedhur minibusi i parkuar. Sipas policisë, nuk raportohet për të arrestuar. “Viktima...
    Kronika15 Tetor 2024
    Një burrë në Rahovec ka njoftuar policinë se derisa ka qenë me veturën e tij në pyll, një person i dyshuar ka...
    Kronika15 Tetor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar se një burrë ia ka vënë zjarrin tavanit-çatisë së shtëpisë. Njësitë relevante policore dhe zjarrfikësit kanë dalë...
    Kronika15 Tetor 2024
    Policia e Kosovës ka njoftuar për zhdukjen e një gruaje në Pejë. Rasti është duke u hetuar nga njësitet policore. “Pejë/13.10.2024 –...
    Front TV15 Tetor 2024
    Kryeministri i vendit, Albin Kurti pas përfundimit të Samitit të Procesit të Berlinit në një deklaratë për media ka folur për çështjet...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.