Një 93-vjeçar, dikur roje në një kamp përqendrimi nazist, u la i lirë edhe pse u shpall fajtor si bashkëpërgjegjës për 5230 vrasje.
Bruno Dey u dënua me dy vite burg, por nuk do të kalojë asnjë ditë në qeli, sipas vendimit të një gjykate në Hamburg të enjten. Në atë që mund të jetë një prej gjyqeve të fundit ku janë përfshirë pjesëtarë të nazistëve, Dey u shpall fajtor për rolin e tij në vrasjen e të burgosurve në kampin e përqendrimit Stuthof, në qytetin që dikur quhej Danzig, sot Gdansk, Poloni. Në atë kohë ai ishte roje, por pjesë e forcave speciale SS.
Duke qenë se ishte vetëm 17-vjeç në vitin 1944, kur edhe shërbeu në kamp, gjyqi ndaj Dey u zhvillua në një Gjykatë për të mitur. Gjatë seancave dëshmuan rreth 40 persona që i kishin mbijetuar kampit dhe të afërm të atyre që nuk ia kishin dalë dot. Dey i mohoi akuzat për përfshirje në vrasje, duke thënë se e kishte marrë vesh vetëm më vonë se çfarë bëhej në kamp. Ai i kërkoi falje familjarëve të viktimave për atë që kishte ndodhur.
Kampi në fjalë u ngrit në vitin 1939 dhe fillimisht u përdor për internimin e të burgosurve politikë polakë. Deri në fund të Luftës II Botërore u mbush me më shumë se 110 mijë të burgosur, 65 mijë prej të cilëve humbën jetën aty./A2CNN