
Albin Kurti, në zgjedhjet e 6 tetorit, doli kandidati me më së shumti vota për Kryeministër. Por i njëjti nuk qëndroi gjatë në krye të ekzekutivit, pasi që u rrëzua me mocion të votëbesimit.
Qeverinë “Hoti” e cila tani po e pason atë “Kurti”, po e sheh si ilegale dhe jo legjitime, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi.
Ai në një intervistë për Front Online, po thotë se kjo Qeveri erdhi në pushtet pa fituesin e zgjedhjeve.
“Ne reagimin tonë dhe aktivitetet tona në Kuvend i kemi të mbështetura mbi parimet dhe mbi konceptet tona politike. Poashtu do të jemi edhe tash, ndonëse përballë kemi një Qeveri e cila është ilegale dhe jo legjitime siç e kemi theksuar edhe më herët. Ilegale për shkak të rrugës së kandidimit që nga dekreti e deri tek zgjedhja, por poashtu jo legjitime edhe për arsyen që është Qeveria e parë pasluftës që nuk e ka shumicën e qytetarëve të këtij vendi, pra njëkohësisht edhe Qeveri pa fituesin e zgjedhjeve”, ka thënë Selimi për Front Online.
Selimi ka bërë të ditur që LVV-ja ka për qëllim dërgimin e vendit në zgjedhje, e që sipas tij, zgjedhjet u japin të drejtë qytetarëve që të zgjedhin për atë që dëshirojnë t`i qeverisë.
“Krejt çfarë ne do të bëjmë në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë Kuvendit të Kosovës do të jemi në përputhje me qëndrimet tona dhe qëllimet tona politike, sepse qëndrimet tona tani dihen, por qëllimi jonë politik është që sa më shpejtë vendi të shkojë në zgjedhje, jo vetëm për arsyen që duam zgjedhje, por për shkak që është e drejtë e qytetarëve për të vendosur për atë që do t`i qeverisë ata”, ka thënë tutje deputeti i LVV-së për Front Online.
Sipas tij, qytetarët e kanë zgjedhur për kryeministër Albin Kurtin dhe jo Avdullah Hotin.
“Qytetarët e Kosovës nuk e kanë vendosur që ta qeverisë Avdullah Hoti, por kanë vendosur që Qeverisë t`i prijë Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë tutje ai.
Deputeti i VV-së: Nuk i kemi ndërruar qëndrimet për PDK-në
Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, për herë të parë do të jenë bashkë në opozitë. Megjithëkëtë, sipas deputetit të VV-së, Rexhep Selimi, qëndrimet e kësaj partie ndaj PDK-së nuk do të ndryshojnë.
“Pse ne jemi për herë të parë bashkë me PDK-në në raportin e opozitës në Parlamentin e Kosovës, kjo nuk do të thotë që ne të kemi qëndrime të tjera për PDK-në, e as për LDK-në. Thjeshtë ne do të jemi ashtu siç jemi, partia më e madhe ne Kuvendin e Kosovës dhe jo vetëm partia më e madhe opozitare, por partia më e madhe në Kuvendin e Kosovës, fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit dhe do të vazhdojmë të sillemi si fitues”, ka thënë ai.
Selimi poashtu ka theksuar se do të vazhdojnë edhe me përfaqësimin e qytetarëve që e kanë nxjerr VV-në si fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit.
“Ne do të vazhdojmë që t`i përfaqësojmë qytetarët që kanë përcaktuar tashmë fituesin. Kjo nuk nënkupton që ne do të kemi qëndrime të ndryshme, prej asaj që kemi menduar dhe që mendojmë për PDK-në, pse kemi rastisur që të jemi në raport të dyja subjektet përballë një mazhorancë tashmë jolegjitime të krijuar”, ka thënë ai për Front Online.
Selimi: Thaçi, gënjeshtar
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, së fundmi ka lëshuar disa deklarata të “forta” për zëvendëskryeministrin Haki Abazi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, që kinse të dy kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës. Në një intervistë për Front Online, Rexhep Selimi, nga VV-ja, ka thënë që këto deklarata të Presidentit janë të pavërteta.
“Po mendoj që nuk kanë qenë deklarata të fuqishme të presidentit, por deklarata të pavërteta të presidentit. Duke qenë jo të fuqishme por të pavërteta atëherë edhe komenti im rreth kësaj është shumë i limituar. Thjeshtë ka qenë gënjeshtër e radhës e tij. Gënjeshtrat nuk preferoj që t`i komentojë”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi në një konferencë për media sot ka theksuar se Demarkacioni me Malin e Zi, taksa dhe reciprociteti janë disa nga ngjarjet që e kanë ngadalësuar integrimin e Kosovës në BE. E për këtë gjë deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, në një intervistë për Front Online ka thënë se është një retorikë e shteruar e Presidentit.
“Është një retorikë tashmë e shteruar, boshe dhe të cilën tashmë qytetarët e Kosovës po e kuptojnë. Po e kuptojnë edhe retoriken, edhe nënkuptimet por mbi të gjitha edhe qëllimin e kësaj retorike. Nëse demarkacioni është hap përpara, drejt BE-së, ku Kosova ka humbur territor, atëherë hapat tjerë nënkuptojnë që të humbim më shumë territor që të shkojmë në BE. Nëse vazhdojmë me këtë dinamikë duke dhënë territor në rrugën e BE-së, gjë që nuk është kështu, atëherë i bie që ndoshta veç Prishtina si kryeqytet, nuk mund të integrohet në BE, duke u dhënë territore fqinjëve”, ka thënë tutje ai për Front Online.
Selimi nuk la pa e përmendur edhe Qeverinë “Haradinaj”, që sipas tij, ka qenë katalizator për dhënien e këtij territori, raporton Front Online.
“Na ka ardhur një prerje nga Qeveria “Haradinaj”, e cila në vend se të ishte në mbrojtje të territorit, ajo ka qenë katalizator i dhënies së këtij territori. Sido që të jetë bashkëpunimi i tyre, për çështje të tilla në dëm të Kosovës, nuk është se nuk ka pasur rezultat. Kanë bashkëpunuar faktorët e PDK-së, AAK-së, dhe të LDK-së, herë të gjithë bashkë e herë veç e veç, por gjatë bashkëpunimeve , i kanë shkaktuar dëme Kosovës, ashtu siç kanë ndodhur me Demarkacionin, ashtu siç ka ndodhur edhe me rrëzimin e Qeverisë “Kurti””, ka thënë tutje ai për Front Online.
A do ta mbështesë Vetevndosje marrëvshjen me Serbinë? Flet Rexhep Selimi
Lëvizja Vetëvendosje ishte ndër partitë më të zëshme për arritjen e një marrëveshje përfundimtare me Serbinë në këmbim të territoreve.
Lidhur me mbështetjen që pritet ta ketë kjo marrëveshje nga kjo parti, Selimi ka theksuar se raporti në mes të dy shteteve nuk do të ndryshojë kurrë.
“Raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të jetë një raport në mes të dy shteteve që i ka rastisur gjeografia që të jenë fqinj dhe historia që të jenë armike me njëra-tjetrën. Ne nuk kemi se pse t`i sfidojmë këto dy fenomene, as aspektin gjeografik e as atë historik. Kosova duhet të sillet si shtet i pavarur duke e ditur që edhe ne pavarësinë e kemi shpallur kundrejt Serbisë, e jo kundrejt ndonjë shteti tjetër”, ka thënë ai për Front Online.
Megjithatë sipas Selimit, VV-ja do të mbetet me qëndrimet e tyre karshi shtetit serb.
“Prandaj Serbia nuk ka pse të interferojë në ndërtimin e brendshëm të Kosovës. Çfarëdo zgjidhje që i jep rol Serbisë brenda Kosovës është dhe do të jetë e pranueshme edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Kështu që LVV-ja mbetet pranë qëndrimeve të saj që raporti me Serbinë duhet të jetë krejt ndryshe nga ajo që kanë krijuar tashmë vazalët e tij politik në Kosovë”, ka thënë tutje ai, për Front Online.
Selimi tregon nëse VV-ja do të shkojë e vetme në zgjedhje
Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë për Front Online, ka thënë që kjo parti në zgjedhjet e ardhshme duhet të mbahen sa më shpejtë.
“Ne nuk do të shkojmë të vetëm në zgjedhje, ne do të shkojmë me qytetarët e Kosovës dhe ky bashkëpunim do të jetë përcaktues, vendimtar për atë se e kush do të qeverisë me Qeverinë e Kosovës në të ardhmen, prandaj këto zgjedhje duhet të ndodhin sa më shpejt”, ka thënë ai.
Rexhep Selimi për protestën e së premtes: S’do të ketë dhunë
E të premten nga kjo pari është paralajmëruar edhe një protestë.
“Të premten është përvjetori edhe i çlirimit të Kosovës dhe i LVV-së, dhe mendoj që tash edhe në të ardhmen edhe çlirimi edhe VV-ja të jenë sa më afër njëra-tjetrës si perceptim unik për të ardhmen dhe jo për të kaluarën”, ka thënë ai, për Front Online.
Ai shpreson që në këtë protestë nuk do të ketë dhunë. Kjo pasi që sipas tij, VV-ja nuk është parti e dhunës.
“Nuk ka pse të asocohet protesta me dhunën. Nuk ka pse të asocohet protesta e LVV-së me dhunën. Përkundrazi dhuna është asocuar me të drejtë deri tash nga ata që kanë mbajtur pushtete me anë të këtij mekanizimi, pra me anë të dhunës. Kështu që nuk ka pse të përmendet dhuna kur përmendet protesta e VV-së dhe VV-ja. Përkundrazi nuk jemi ne që ushtrojmë dhunë, ne kemi qenë objekt i dhunës, kemi qenë target i dhunës së pushteteve të kaluara ndaj nesh. Por asnjë lloj dhune ne nuk mund të na ndal që të kërkojmë të drejtat tona”, ka thënë ndër të tjera Selimi.
Rexhep Selimi lavdëron punën e Qeverisë “Kurti” gjatë pandemisë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, në një intervistë për Front Online, ka thënë se ka vetëm fjalë të mira për punën që ka bërë Qeveria “Kurti”, në luftën ndaj Coronavirusit.
“Kosova nën udhëheqjen e Qeverisë “Kurti”, ka qenë shembull se si një shtet me kapacitete të tilla të limituara mund ta menaxhojë një situatë kaq të rëndë siç ka qenë Covid-19. Edhe kundërshtarët edhe përkrahësit këtë nuk mund ta mohojnë që situata është menaxhuar më së miri që ka qenë e mundshme. Poashtu masat që ne iu kemi marr nuk i kemi shpikur, i kemi krahasuar me masat që i kanë marr shtetet e rajonit dhe shtetet e botës për ta bërë një gjë të tillë dhe i kemi përshtatur për Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke filluar që nga kufizimi i lëvizjes në hapësira publike e deri tek karantinimi”, ka thënë ndër të tjera ai.
Mirëpo karantinimi i ka ndihmuar Kosovës që të mos ketë shtim të numrit të rasteve me Covid-19.
“Pikërisht këto pikat më të forta dhe më domethënëse për menaxhimin e situatës me Covid-19, kanë qenë atak i sulmeve nga kundërshtarët tonë. Kundërshtarët tonë na kanë atakuar edhe përmes karantanimit. Si rezultat i një pune të tillë deri më sot, kemi më pak të infektuar nga sa mund të kishim si Kosovë që ka gjysmën e popullit jashtë vendit”, ka thënë tutje ai.
Selimi ka theksuar se duke parë situatën në vend, ka rrezik që Coronavirusi të rikthehet.
“Uroj që të mos na e demantoj Covid-19 këtë. Pra uroj që jo për të na vërtetuar fjalët tona të kthehet edhe njëherë Coronavirusi, sepse do të pësonte qytetari. Por, rreziku ekziston sepse duket që në mënyrë shumë populliste që sapo ka ardhur Qeveria e re jo legjitime, ka filluar që të heq masat që janë tek e fundit mbrojtëse për qytetarët”, ka thënë Selimi për Front Online.