
Pas përhapjes së pandemisë së Coronavirusit në Kosovë, qytetarët u ballafaquan edhe me ngritjen e çmimeve për disa produkte ushqimore dhe farmaceutike.
Për ngritjen e çmimeve të këtyre produkteve Autoriteti Kosovarë i Konkurrencës ka marrë disa ankesa nga qytetarët.
Në adresë të AKK-së, kanë arritur mbi 140 ankesa nga qytetarët për rritje të çmimeve.
Kështu po thotë, drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës (AKK), Sakip Imeri për Front Online.
Ai tha se janë duke i trajtuar këto ankesa në mënyrë që sa më parë të merret një vendim.
E ankesat më të shpeshta, sipas tij, janë për produkte farmaceutike, dezinfektues, alkool e masa mbrojtëse.
“Kemi pasur diku mbi 140 kërkesa të ndryshme, informata për ngritje të çmimeve, por shpesh ka edhe lajthitje të cilat ne duhet me i trajtuar në mënyrë profesionale që mos me pasë ndonjë situatë që për shkak të tendencave me ardhë te ndonjë veprim jo i drejt karshi biznesit. Ne kemi grumbulluar informata në bazë të shqetësimeve që janë ngritur, jemi në fazën e klasifikimit- trajtimit të tyre dhe pastaj do të veprojmë. Në bazë të informatave që i kemi, kryesisht te produktet ushqimore, farmaceutike, dezinfektues, alkool pastaj maskat mbrojtës dorëza në këto kanë qenë shqetësimet më të mëdha”, tha Imeri për Front Online.
Në pyetjen se a ka hapur Autoriteti hetim ndaj kompanive të cilat e kanë ngritur çmimin e produkteve, Imeri tha se një gjë e tillë do të bëhet pasi që të analizohen të gjitha argumentet të cilat i kanë siguruar.
“Ne jemi në fazën e trajtimit të informatave, kërkesave dhe nga vizitat që i kemi pasur kemi marr dokumentacion krahasues të faktuarave që kanë pasur për të njëjta artikuj për periudhën para pandemisë dhe kur ka filluar pandemia dhe ato janë treguesit që do të na japin informatat më të sakta për fillimin ose jo të hetimeve të kompanisë”, tha Imeri për Front Online.
Imer: Kompanitë që ngritën çmimet në kohë pandemie do të gjobiten me 10 % të qarkullimit
Imeri foli edhe për ndëshkimet që do t’i kenë bizneset nëse vërtetohet se kanë bërë ngritjen e çmimeve.
Ky ndëshkim, sipas Imerit, do të jetë 10 % e qarkullimit që kanë pasur kompanitë nga rritja e çmimit në kohën e pandemisë.
“Nëse çmimet janë jonormale, janë ekstra të ngritura aty Autoriteti vendos në bazë të hetimeve dhe faktet tregojnë se a ka pasur shkelje, qoftë pozitës dominuese, qoftë keqpërdorim të një fushe të caktuar në treg. Masa ndëshkuese është deri në 10 % e qarkullimit d.m.th. janë masa shumë të rrepta për ata që e keqpërdorin pozitën e tyre në treg në qoftë se i ngritin çmimet dhe e shfrytëzojnë pozitën dominuese për ekstra fitime në të cilat në kushte normale nuk do të ishin realizuar”, tha Imeri për Front Online.
AKK-ja e përgatitur të përballet me padi në rastin “Nafta”
Ditë më partë Autoriteti Kosovar i Konkurrencës ka marrë vendim që 14 kompani të derivateve të gjobiten për marrëveshjen e jashtëligjshme për ngritjen e çmimeve gjatë vitit 2018-të.
E lidhur me këtë për Front Online, Drejtori i Autoritetit, Sakip Imeri tha se vendimi për këto kompani është marrë pas analizimi të të gjitha argumenteve
Ai tha se kompanitë të cilat janë gjobitur për ngritjen e çmimit të derivateve për muajin nëntor të vitit 2018-të nuk kanë vepruar edhe përkundër që çmimi në berëzën botërore të naftës ka rënë.
“Ka pasur ngritje të çmimeve më shumë se zakonisht deri në masën 126 % për produkte të caktuara naftë dhe benzinë dhe kjo ka qenë arsyeja e thellimit të hetimit dhe marrjes së vendimit i cili ka ndodhur me 6 maj të këtij vitit. d.m.th. ka qenë një afat ligjor i cili e ka detyruar Autoritetin që edhe në këtë kohë pandemie për shkak të afatit ligjor ta marrë vendimin të cilin e kam marrë, është një vendim i menduar mirë dhe i analizuar edhe nga faktet që janë grumbulluar prej analizave të hetimeve dhe ka ardhur deri te ky vendim”, tha Imeri për Front Online.
Ndërsa për kompanitë të cilat kanë bërë shkelje ligjore në të kaluarën, Imeri tha se lëndët e tyre janë duke u trajtuar në gjykatë.
“Autoriteti rastin më të madh e ka të derivateve që e ka trajtuar më herët ka pasur edhe të kompanive në fushën e ofrimit fiskale dhe pastaj të kompanitë e sigurimeve, por janë procese gjyqësore të cilat i kanë kundërshtuar dhe nga paditë që i kanë bërë janë procese të cilat ende vazhdojnë në gjyq. E njëjta është edhe për kompanitë e derivateve të naftës, nëse nuk pajtohen me vendimin tonë mund të na padisin dhe mandej fillojnë procedurat gjyqësore, ne jemi të përgatitur që këto raste i mbrojmë dhe t’i dëshmojmë”, tha ai për Front Online.