
Këshilli i Medieve të Shkruara të Kosovës (KMSHK) e ka hedhur poshtë sot ankesën e kolegjit “UBT” ndaj portalit “Front Online”.
Kolegji UBT muaj më parë është ankuar në KMSHK ndaj hulumtimit të “Front Online” me titull:
“Prokuroria nis hetimet ndaj kolegjit “UBT”, regjistroi 1236 studentë më shumë”.
Portali “Front Online” në shtator të vitit të kaluar, kishte nisur me botimin e serisë së hulumtimeve ndaj kolegjeve private për tejkalim të numrit të studentëve të regjistruar, ku, sipas dokumenteve të siguruara kolegji që udhëhiqet nga Edmond Hajrizi (UBT) kishte regjistruar 1236 studentë më shumë se sa që i kishte lejuar Ministria e Arsimit, me ç‘rast këta studentë do ta kenë të vështirë t’i nostrifikojnë diplomat e tyre.
Kolegji UBT rrezikon diplomat e 1 mijë e 236 studentëve (Dokumente)
Tre muaj pas botimit të këtij hulumtimi, në janar të këtij viti Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte nisur hetimet pas Kallëzimit Penal të bërë ndaj UBT-së nga Inspektorati i Arsimit, bazuar në dokumentet e botuara nga “Front Online” .
Prokuroria nis hetimet ndaj kolegjit “UBT”, regjistroi 1236 studentë më shumë
KMSHK në mbledhjen e së premtes (sot) votoi unanimisht kundër ankesës së Kolegjit UBT, me arsyetimin se ankuesi në ankesën e tij nuk ka arritur të paraqes asnjë provë materiale në lidhje me pretendimin e tij ose në të kundërtën e asaj që është pohuar në shkrimin e “Front Online”.
KMSHK-ja ka hedhur poashtu edhe ankesën e Kolegjit “UBT” ndaj portalit “Gazeta Blic”.
/Front Online/