
Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha tha se në këtë periudhë izolimi thuajse total të vendit për frenimin e pandemisë së koronavirusit në disa zona është mbjellë masivisht kanabis.
“E vërteta është se pandemia u shfrytëzua për mbjellje masive të kanabisit në të katër anët e vendit. U shfrytëzua për tenderë sekretë të denoncuar nga organizata serioze, mbi 20 tenderë sekretë për të vjedhur në mënyrë të fshehtë. Kruja, Tepelena, Këlcyra, Përmeti, Dukagjini, Skrapari e Berati janë mbushur si asnjëherë tjetër me kanabis. Ky do të jetë viti kulmor i kanabisit”.
Ai tërhoqi një paralele me vitin 2016, duke thënë se për nisjen e kultivimit u përdor e njëjta “parullë-kod”, siç e quajti ai.
“Në vitin 2016, Koço Kokëdhima doli me teorinë e kanabisit mjekësor dhe se do të siguronte eksporte të kësaj bime në SHBA. Para një muaji Edi Rama dha kushtrimin ‘do të legalizojmë kanabisin mjekësor’, çka do të thotë: ‘mbillni sa të mundeni se nuk keni asnjë pengesë’.
Po tejkalohet ajo iniciativë. Pas fjalës të tij se do të miratonte ligjin për legalizimin e kanabisit të gjithë kultivuesit e vjetër të kanabisit u mobilizuan dhe tokat e bukës po i mbjellin kanabis. Janë krijuar fidanishtet nga më të fuqishme që kanë ekzistuar ndonjëherë. Është caktuar taksa e komisarëve të policisë, me sa duket do të jetë më e lartë sesa ishte në vitin 2016. Pra do të jetë viti i dytë i kanabizimit masiv të Shqipërisë”. /A2 CNN