
Me 98 qytetarë të prekur me Coronavirus, Ferizaj e mban primatin si qyteti me më së shumti të prekur me këtë pandemi, raporton Front Online.
Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, i ka thënë “Front Online”, se nga ky numër vetëm 3 pacientë janë shëruar deri më tani.
“Prej 98 pacientëve, ne si Komunë e Ferizajt i kemi 3 pacientë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. I kemi 3 të shëruar, 2 që kanë ndërruar jetë dhe pjesa tjetër janë në vet izolim dhe janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre, nën përkujdesjen permanente të institucioneve tona shëndetësore qoftë të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, qoftë të spitalit ose qoftë të qendrës së Institutit të Shëndetit Publik këtu në Ferizaj”, ka thënë ai për portalin.
E sot në këtë komunë pritet të merren edhe disa mostra nga IKSHPK-ja.
Sipas Aliu këto mostra janë të ritestimit për të parë nëse ndonjë nga të infektuarit është shëruar tashmë nga virusi COVID-19.
“Siç na është raportuar gjendja e tyre është e mirë. Sot presim që të merren mostrat për një pjesë të pacientëve me COVID-19 që kanë rezultuar pozitiv. Pra janë mostra të ritestimit. Zakonshëm kohëve të fundit kemi pasur më pak teste dhe nuk e dimë se sa i kanë marrë sot saktësisht”, ka thënë ai.
Aliu për “Front Online” tha se situata ka qenë e menaxhueshme për shkak se të infektuarit e kanë pasur vetëm një burim.
“Jemi në fazën ku në Ferizaj pacientët me virusin korona pozitiv tashmë do të ritestohen për të parë se a janë shëruar. Ka qenë një gjendje e menaxhueshme pavarësisht që numri i të prekurve ishte i lartë. Virusi ishte i përqendruar në një burim pra tek Kampi ‘Bondsteel’ dhe tek familjarët e tyre”, ka thënë ai.
Në Kosovë deri më tani nga virusi COVID-19, janë prekur 780 persona. Prej tyre 201 persona janë shëruar, si dhe janë shënuar 22 vdekje. /Front Online/