
Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot një konferencë për media, përmes së cilës i ka dënuar deklaratat e Shkëlzen Gashit (këshilltarit politik të kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit), i cili ka thënë se disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime ndaj civilëve të pafajshëm.
Sipas deputetit nga radhët e PDK-së, Gazmend Bytyçit, këto deklarata të Shkëlzen Gashit nuk ishin të rastësishme sepse sipas tij, ato përfaqësojnë qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje, njofton Klan Kosova.
“Jam këtu sot në këtë konferencë për shtyp të organizuar nga Partia Demokratike, jo vetëm si deputet i kësaj partie në Kuvendin e Kosovës por edhe si njëri nga ushtarët e UÇK-së. Me shqetësim kemi ndjekur gjuhën e ulët dhe pretendimet skandaloze të këshilltarit politik të kryeministrit në ikje Albin Kurtit”.
“Deklarata e djeshme e bashkëpunëtorit të Kurtit, Shkëlzen Gashi, synonte të përbalte të gjitha figurave politike kundërshtare dhe të manipulonte historinë. Me fjalët e tij ai sulmoi pjesën më të shenjtë kombit, pra Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Nuk është rastësi glorifikimi i Dick Marty-t, dhe akuzat e rënda ndaj UÇK-së të bëra prej Gashit nga dje kanë zënë faqet e para të mediave serbe. Kjo është pjesë tendencave të Beogradit për të fshehur gjenocidin që ka bërë në Kosovë dhe për të barazuar në sytë e botës xhelatin me viktimën”.
“Ne besojmë, se deklarata e Gashit nuk është as rast i veçantë aksidental e as rastësor. Deri sa nuk kemi distancime nga kjo deklaratë, besojmë se qëndrimet e tij janë pjesë përbërëse themelore e bindjeve të lidershipit të Lëvizjes Vetëvendosjes”.
“Kjo është veç përpjekja e radhës e kësaj force politike për të denigruar luftën e lavdishme çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e saj. Gjatë pak javëve kemi dëgjuar Kurtin në seancë e shkarkimit që t’i quante mercenarë veteranët meqenëse shteti përkujdesej për ta”.
“Ne dëgjuam deklaratën e nënkryetares së Vetëvendosjes Kollçakut që bënte zëdhënëse e mediave dashakeqe serbe duke i konsideruar kriminelë lufte luftëtarët e UÇK-së. Po ashtu dëgjuam deputeten dhe anëtaren e kryesisë Fitore Pacollin që nëpërkëmbte nënën e dy heronjve Haradinaj”.
“Për më tepër kemi dëgjuar deklarata të zyrtarëve të lartë të kësaj partie që përputhen me interesat anti-Kosovë të Beogradit. Të tilla qenë shpallja e ndarjes së veriut nga zv. kryeministri Abazi”.
“Që propozimi i ministrit Reka për të përmbushur aspiratës shekullore të Serbisë për të pasur një korridor që ofron dalje në Durrës. Që pranimi nga ministri Vitia i hyrjes dhe veprimit në Kosovë të qindra zyrtarëve të Serbisë si dhe pranimi i lëmoshës prej 1000 teste”.
“Dje, në Këshill të Sigurimit, ish-zëdhënësi i Millosheviqit, Ivica Daçiq lavdëronte humanizmin e Serbisë me dhënien e testeve. Ndërsa në të njëjtën ditë këshilltari i Kurtit lavdëronte Dick Marty-n dhe njolloste luftën çlirimtare të shqiptarëve”.
“Kjo qeveri e shkarkuar, nga njëra anë ia ka dalë të rikthejë një pjesë të Kosovës nën kontrollin e Serbisë duke lejuar fuqizimin e strukturave paralele dhe shtrirjen atje të gjendjes së jashtëzakonshme të vendosur nga Beogradi”.
“Ndërsa nga ana tjetër i ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me aleatin tonë strategjik duke orkestruar fushata linçimi për përfaqësuesit më të lartë amerikanë e duke bërë madje që ky shtet mik të vendosi sanksione ndaj popullit më pro-amerikan në botë”.
“Në të tilla rrethana Partia Demokratike e Kosovës do të rikthejë menjëherë projekt-ligjin për mbrojtjen e vlerave të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Projektligj ky që nuk mundëm ta miratonim si pasojë e ndërprerjes së parakohshme e të paparashikuar të legjislaturës parlamentare”.
“Qëllimi i këtij projektligji është që të bëj të obligueshëm institucionalisht mbrojtjen, respektimin dhe promovimin e vlerave të luftës së së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si një ndër kapitujt më të lavdishëm të historisë së popullit tonë”.
“Me anën e kësaj nisme ne do mund të nderojmë sakrificën, përpjekjen dhe kontributin e çmuar, të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.