
Kryetarët e Komunave përmes Asociacionit të Komunave të Kosovës kanë reaguar rreth njoftimit të fundit të lëshuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP), raporton portali FrontOnline.
Në reagimin e Komuave thuhet se aktivitetet e prokurimit publik nuk kanë fare të bëjnë më mundësinë e përhapjes së COVID 19.
Ky reagim erdhi pasi që KRPP ka marrë vendim që dorëzimi i tenderëve duhet të shtyhet pas datës 05.05.2020.
Reagimi i plotë:.
Në këtë njoftim, që për shkak situatës së krijuar si rezultat i Corona Virusit, COVID 19, në pikën II të njoftimit thuhet:
“Për të gjitha aktivitetet e prokurimit që janë në procedurë të tenderimit apo të inicimit për dhënien e kontratave publike për furnizim, shërbime, punët që nuk janë emergjente si shkas i COVID 19, apo që nuk ndërlidhen me funksionimin e Administratës shtetërore, të shtyhen afatet e tenderimit/inicimit me theks të veçantë INVESTIMET KAPITALE në përputhje me vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë të dt. 14.04.2020 për parandalimin, luftimin dhe eliminimin e sëmundjes COVID 19, pra në pamundësi të lëvizjes sipas vendimeve të MSH dhe sipas urdhëresës nga MEPTINIS, për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike gjatë emergjencës së shëndetit publik, dorëzimi i tenderëve duhet të shtyhet pas datës 05.05.2020.”
Kjo arsye nuk është shumë bindëse që të gjitha aktivitetet e prokurimit të shtyhen pas datës 05 maj 2020.
Ne si AKK mendojmë që aktivitetet e prokurimit publik nuk kanë fare të bëjnë më mundësinë e përhapjes së COVID 19.
Duhet marrë parasysh që të gjitha aktivitetet e prokurimit publik janë të automatizuara dhe zhvillohen përmes internetit, pra me procedurën e njohur e-prokurimi. Duke pasur parasysh procedurat tenderuese dhe afatete e parapara ligjore mjaft të zgjatura për tenderim, vetëm oferta merr 30 ditë. Andaj një kërkesë e tillë nga KRPP është pengesë për komunat në realizimin e projekteve kapitale në bazë të buxhetit të alokuar për vittin 2020, dhe jo në frymën e këtij njoftimi që për qëllim ka ‘për ta bërë më të lehtë procesin e tenderimit’. Duhet marë parasysh se buxheti për investime kapitale nëpër komuna është i miratuar nga Kuvendi i Republikës së Ksoovës dhe nuk mund ta sjellim në mendje se si vendimet e KRPP bien ndesh me Ministrinë e Financave dhe Transfereve (MFT) ku kjo ministri i ka informuar komunat se mund të procedojnë me realizimin e projekteve kapitale.
Ne vlerësojmë se vendimet e tilla janë joligjore dhe jashtë kompetencës së KRPP. KRPP nuk mund të marrë rolin e ligjvënësit por është rregullator i procedurave sipas ligjeve në fuqi.
Ne si AKK kërkojmë nga KRPP që të mos ndërpresë aktivitetet e prokurimit publik sepse jemi të bindur që çdo shtyerje e këtyre aktiviteteve do të jetë në dëm të popullatës lokale dhe nga ky vendim i juaji më së shumti do të pësojnë banorët lokal të cilët do të përfitonin në mënyrë të drejtpërdrejtë nga këto projekte. Ka edhe prpjekte që kanë të bëjnë me furnizim më ujë të pijshëm, me kanalizim e projekte të tjera të cilat janë edhe drejtpërdrejtë të lidhura edhe me luftimin e parandalimit të përhapjes së COVID19
Në këtë mënyrë Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon që së pari KRPP të jetë në një qëndrim me MFT dhe nga njoftimi 42/2020, në pikën II të bëhet përjashtim në kërkesën për mos dorëzim të tenderëve deri pas datës 05.05.2020 për komunat, në mënyrë që procesi i tenderimit të vazhdoj në komuna me qëllim të realizimit të investimeve kapitale të parapara për këtë vit.
Ju lutem mos u bëni pengesë i përfitimit të qytetarëve nga këto projekte por bëhuni shtytës i realizimit të projekteve që shkojnë në dobi të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Komunat zotohen që do ti respektojnë në përpikëmëri standardet e IKSHP-së në betejën kundër pandemisë Covid19 – thuhet në letrën e AKK-së nënshkruar nga z.Xhafer Gashi
Zv/kryetar i AKK-së