
Lëvizja Vetëvendosje së fundmi ka dështuar që të ofroj emrin e mandatarit për formimin e qeverisë së re tek presidenti i vendit Hashim Thaçi. Ka qenë ky i fundit ai i cili dje bëri bashkë në një tryezë diskutimi të gjithë liderët e partive politike në vend, për të folur rreth qëndrimeve të tyre, për sa i përket formimit të qeverisë së re.
Me përjashtim të VV-së, të tjera parti njëzëri u deklaruan kundër zgjedhjeve të reja. Në ndërkohë sot veçse u bë zyrtar emri i kandidatit për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që pritet të hyjë në koalicion edhe AAK-në, AKR-në, Nismën dhe pakicat për të formuar qeverinë.
Këtij koalicioni pritet t`i prijë Avdullah Hoti, emri i të cilit së shpejti do t`i dërgohet presidentit të vendit me shkrim për ta caktuar zyrtarisht edhe si mandatar për formim të qeverisë.
Për këto zhvillime për “Front Online”, ka folur edhe politologu Ramush Tahiri. Ai ka vlerësuar që zhvillimet e fundit politike dhe institucionale në vend kanë marrë rrugë drejt zgjidhjes.
Lëvizja Vetëvendosje kohët e fundit ka paralajmëruar që do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese presidentin Hashim Thaçi në rast se i njëjti, i jep mandatin për formimin e qeverisë LDK-së. Një gjë e tillë sipas politologut Ramush Tahiri, do të refuzohet nga kjo gjykatë qysh në shqyrtimin paraprak.
“Albin Kurti mund ta dërgojë lëndën në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese sipas mendimit tim 100% do ta refuzojë kërkesën në shqyrtimin paraprak dhe nuk do t`i fus hiq në procedurë, sepse në aktvendimin e saj të 1 korrikut 2014 ka vendosur për këtë çështje”, ka thënë ai për “Front Online”.
Sipas tij kjo gjykatë qysh në 2014 e ka përcaktuar qartë se kujt i takon mandati për formimin e qeverisë.
“Ajo që ka vendosur në 2014 prej pikës 87 deri në pikën 94, ka thënë që presidenti e cakton mandatin në bazë të bindjes së vet të bazuar cilësdo parti tjetër, duke e përfshirë edhe VV-në. Mandati i`u dha VV-së. Ajo nuk e bëri koalicionin dhe VV-ja nuk e dorëzojë emrin, me ç`rast kaloj edhe afati i arsyeshëm kushtetues prej 15 ditësh, afat ky që vlen edhe për Avdullah Hotin që e merr mandatin dhe presidenti me një letër para se t`i thërras liderët e konstatoj që kjo parti nuk e ka shfrytzuar mandatin”, ka thënë për fund Tahiri./Front Online/