
Me shënimin e 9 rasteve të reja mbrëmë me virusin COVID-19, Komuna e Ferizajt e ka marrë primatin si qyteti me më së shumti të prekur nga Coronavirusi. Vatra e përhapjes së Coronavirusit në këtë qytet, u bë Kampi “Bondsteel”, i cili njëherësh është baza kryesore e Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës nën komandën e KFOR-it në Kosovë, raporton Front Online.
86 nga 90 të prekurit me virus nga ky qytet, janë punonjës të kësaj baze ose familjarë të të infektuarve, teksa deri më tani jetë kanë ndërruar edhe 2 të prekur e që në Kamp ishin shoferë.
Lidhur me këtë çështje në një përgjigje për portalin Front Online, nga Zyra për Informim e KFOR-it në Kosovë, është njoftuar që tashmë kanë ndërmarrë të gjitha masat më të rrepta për ta parandaluar përhapjen e këtij virusi. Siç bëjnë me dije ata në rast infektimit të personelit ushtarak, trajtimi do të bëhet brenda kampit dhe jo jashtë, për shkak të mos ekspozimit të virusit në ambiente të jashtme.
2 punëtorë të Kampit “Bondsteel”, në Ferizaj tashmë kanë ndërruar jetë si pasojë e virusit COVID-19. E dhjetëra të tillë janë të infektuar me këtë virus, nga kontakti me të dy punëtorët tashmë të ndjerë. Lidhur me këtë çështje janë deklaruar edhe nga KFOR-i, e të cilët në një përgjigje për portalin Front Online, kanë konfirmuar që masat për parandalimin e përhapjes së virusit në bazat e tyre, janë ndërmarrë qysh në fillim të përhapjes së pandemisë.
“Në aspektin e parandalimit, që nga fillimi i pandemisë COVID-19, KFOR-i ka zbatuar masa të kujdesshme bazuar në rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, me qëllim te lehtësimit të rreziqeve për personelin e saj dhe për të gjitha komunitetet e Kosovës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it dhënë portalit.
Ndër masat që ka ndërmarrë KFOR-i për mbrojtje gjatë pandemisë, përfshijnë edhe kontrollet e rrepta për gjithë personelin ushtarak, si dhe kufizimet e përkohshme në aktivitete jo thelbësore
“Masat e tilla zbatohen në të gjitha bazat dhe objektet e KFOR-it dhe përfshijnë masa të rrepta higjienike, ekzaminim dhe kontrolle të të gjithë personelit ushtarak, kufizime të përkohshme në aktivitete jo thelbësore. Kontraktuesit lokalë të Kosovës që tregojnë shenja ose kanë një histori ekspozimi nuk lejohen te hyjnë në baza”, thuhet ndër të tjera në përgjigje.
KFOR: Kushdo që tregon shenja të infektimit do të futet në karantinë
E personat që tregojnë shenja të infektimit nga virusi, i pret karantina. Këtë e kanë konfirmuar për portalin Front Online edhe zyrtarë të KFOR-it në Kosovë.
“Ashtu si në pjesën tjetër të shoqërisë, disa nga pjesëtaret e personelit tanë janë testuar pozitiv, dhe për fat të keq dy punëtorë civilë humbën jetën. Cilido ushtar i KFOR-it që tregon shenja të infektimit nga COVID-19 apo ka pasur kontakte me dikë të infektuar, vendoset në karantinë”, bëhet e ditur në përgjigje.
Në rast se me virus preken edhe ushtarët e KFOR-it, atëherë të njëjtit do të trajtohen në bazat e KFOR-it dhe jo në Klinikën Infektive në Prishtinë.
“Nëse ushtarët e KFOR infektohen, ata trajtohen ne hapësirat mjekësore në bazat e KFOR-it dhe futen në karantinë për të zvogëluar ekspozimin, përpara se të evakuohen”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Aliu: 86 të infektuar janë nga Kampi “Bondsteel”
Në ndërkohë kryetari i Komunës së Ferizajt Agim Aliu ka konfirmuar për Front Online, se nga të 90 personat e infektuar në këtë komunë, 86 janë pjesë e Kampit “Bondsteel”, ose familjarë të punëtorëve.
“Prej të infektuarve 86 raste janë punëtorë të Kampit “Bondsteel” dhe familjarë të tyre. Pra është ky qarku vicioz i punëtorëve të “Bondsteel”-it dhe familjarëve të tyre”, ka thënë ai.
Ndërsa për sa i përket 4 rasteve tjera, Aliu ka theksuar se janë raste kontakti nga tjera komuna.
“Tre raste janë me origjinë nga Kamenica pra që kanë pasur komunikim me Topanicën dhe një rast tashmë është i shëruar “, ka bërë të ditur ai.
Gjendja e të infektuarve e mirë, 4 pacientë të shtrirë në Infektivë
Tutje Aliu për portalin ka njoftuar se gjendja e pacientëve ferizajas të infektuar me Coronavirus është e mirë dhe e qëndrueshme.
“Në bazë të raporteve dhe të komunikimeve në radhë të parë të profesionistëve shëndetësorë nga institucionet shëndetësore por edhe ato qendrore, si të Institutit të Shëndetësisë Publike gjendja e tyre është e mirë dhe e qëndrueshme”, ka thënë ai.
Në Klinikën Infektive, sipas Aliut deri më tani janë të shtrirë vetëm 4 pacientë, teksa 86 të tjerë janë duke u trajtuar në shtëpi.
“Komuna e Ferizajt ka gjithsej katër pacientë të cilët janë në Klinikën Infektive, ndërsa pjesa tjetër kryesisht është duke u trajtuar në shtëpi. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shëndetësore sepse ata e kanë për obligim që çdo dy herë në ditë të raportojnë për gjendjen e pacientëve tek IKSHPK-ja në Ferizaj por edhe tek Qendra e Mjekësisë Familjare, si dhe tek Spitali Rajonal këtu në Ferizaj”, ka thënë ai.
Në Ferizaj sot janë marrë mostra të reja
IKSHPK-ja sot ka marrë mostra të reja në qytetin e Ferizajt, rezultatet e të cilave pritet të dalin në mbrëmje. Aliu për Front Online, pohoi se një pjesë e tyre janë punëtorë shëndetësor që kanë pasur kontakt me një të infektuar.
“Një pjesë e mostrave janë marrë sot dhe disa janë nga dita e djeshme, sepse jo të gjitha mostrat nga dita e djeshme janë kryer dhe ne jemi duke i pritur rezultatet e këtyre mostrave. Një pjesë e tyre janë e personel shëndetësorë që kanë pasur kontakt me njërin nga të prekurit që ka rezultuar pozitiv me Coronavirus dhe edhe ata do të testohen. Tërë ata do të testohen dhe në orët e mbrëmjes do t`i presim rezultatet edhe për ta”, ka thënë Aliu. /Front Online/