×
  • Lajme
  • Lajme

    Haxhiu: Kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus

    FrontOnline
    24 Gusht 2026

    Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, kanë pritur sot gazetarët ukrainas, të cilët po qëndrojnë në Kosovë.

    Me këtë rast, në fjalën e saj drejtuar të pranishmëve U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se disa prej tyre, gjatë këtyre viteve shumë të vështira, e kanë pasur Kosovën si shtëpi të përkohshme.

    “Prej këtu keni vazhduar të shkruani, të raportoni, të flisni por po ashtu edhe të punoni për vendin tuaj. Na vjen mirë që sot jeni këtu me ne dhe prania juaj ia jep kësaj dite një domethënie të veçantë”, është shprehur Haxhiu.

    Ajo më tej tha se historia jonë nuk është historia e Ukrainës, por na ka mësuar ta njohim çmimin njerëzor të luftës, njofton Presidenca.

    “E dimë çfarë do të thotë të largohesh nga shtëpia pa e ditur kur do të kthehesh. E dimë sa shumë vlen kur të tjerët të qëndrojnë pranë pikërisht atëherë kur ke më së shumti nevojë. Dhe e dimë pse liria, kur vihet në rrezik, mbrohet me gjithçka çka kemi”, theksoi Haxhiu.

    Sipas saj, ajo që Ukraina ka treguar gjatë këtyre viteve është një qëndrueshmëri e jashtëzakonshme.

    “Ukrainasit kanë vazhduar ta mbrojnë vendin e tyre, komunitetet e tyre dhe mënyrën e tyre të jetesës nën një trysni të jashtëzakonshme. Kanë mbajtur institucionet në punë, qytetet në lëvizje, fëmijët në shkollë dhe të vërtetën gjallë, edhe ndërsa lufta vazhdon. Kjo vendosmëri gëzon respekt të thellë në Republikën e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.

    Ajo tha se ne kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga ditët e para të pushtimit rus.

    “E kemi bërë këtë sepse besojmë fort në të drejtën e Ukrainës që ta zgjedhë vetë të ardhmen e saj, ta mbrojë tokën e vet dhe po ashtu që populli ukrainas të jetojë i lirë. Këtë mbështetje jemi përpjekur ta bëjmë edhe konkrete. Kosova ka ndërmarrë shumë veprime në këtë drejtim. Ka vendosur sanksione ndaj Rusisë menjëherë pas fillimit të agresionit rus dhe ka vazhduar të harmonizohet me partnerët tanë evropianë dhe transatlantikë. Kemi mirëpritur gazetarë ukrainas, kemi pezulluar përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët e Ukrainës dhe jemi përgatitur të presim njerëz që janë të detyruar t’i lënë shtëpitë e tyre për shkak të luftës”, u shpreh Haxhiu.

    Ajo tutje tha se Kosova e ka mbështetur Ukrainën edhe në mbrojtjen e saj.

    “Jemi pjesë e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë marrë pjesë në trajnimin e ushtarakëve ukrainas, përfshirë edhe në kuadër të operacionit “Interflex”, ndërsa kemi dhënë edhe dy pako ndihmë ushtarake, me 30 automjete ushtarake dhe 10 mijë predha mortajash”, theksoi Haxhiu.

    Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, prania e gazetarëve ukrainas këtu ka një domethënie të veçantë për ne.

    “Gjatë luftës sonë e kuptuam sa e rëndësishme ishte që dikush ta dokumentonte atë që po ndodhte dhe të sigurohej që bota ta shihte. Prandaj, t’u ofrojmë gazetarëve një vend të sigurt ku mund ta vazhdojnë punën e tyre, për ne padyshim që ka qenë shumë më tepër sesa thjesht t’u ofrojmë strehim”, ka thënë Haxhiu.

    Ajo tha se ne duam paqe për Ukrainën, ajo paqe duhet të jetë një paqe që ia ruan pavarësinë, sovranitetin por po ashtu dhe tërësinë territoriale, një paqe në të cilën ukrainasit vendosin vetë për të ardhmen e tyre dhe e rindërtojnë vendin e tyre në liri.

    “Kosova do të vazhdojë të qëndrojë përkrah Ukrainës. Dhe shpresoj sinqerisht që lidhjet e krijuara mes njerëzve gjatë këtyre viteve të vështira, me kohë, të shndërrohen në një afërsi edhe më të madhe mes dy vendeve tona. Gëzuar Ditën e Pavarësisë Ukrainës dhe të gjithë ukrainasve!”, tha U.D. Presidentja Haxhiu./rtk

    Nga Rubrika
    Lajme 24 Gusht 2026
    Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka kritikuar sërish pushtetin lidhur me kontratën për riparimin e vagonëve të trenit, e cila i është...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveça, zëvendësi i tij, Enver Dugolli dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha po marrin...
    Kronika 24 Gusht 2026
    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se sot rreth orës 10:30, Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar për një aksident...
    Të tjera
    Lajme 24 Gusht 2026
    Presidenti serb, Aleksander Vucic, ka pretenduar sot se institucionet e Kosovës do ta hapin Urën e Ibrit me datën 1 shtator. Ai...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Deputetja e PDK-së, Sala Jashari ka kritikuar Ministrinë e Arsimit për mungesën e qartësisë rreth sigurimit të teksteve shkollore, pak ditë para...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Fëmijët parafillorë në Prishtinë do të kenë orar më të gjatë që nga 1 shtatori, duke kaluar nga dy në katër orë...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar lidhur me vdekjen e Jetlira Foniqit, 25 vjeçarja që dyshohet se u vra nga bashkëshorti...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Një zyrtar i Komunës së Gjakovës, e cila udhëhiqet nga kryetari Ardian Gjini, është arrestuar në Shqipëri nën dyshimin për trafikim të...
    Lajme 24 Gusht 2026
    Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila akuzoi të...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.