
Shqipëria i ka siguruar medaljet e para në Lojërat Mesdhetare 2026 që po zhvillohen në Taranto të Italisë, me sportin e mundjes që është protagonisti kryesor.
Ardit Zeneli e ka fituar medaljen e bronztë, ndërsa Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev e kanë siguruar të paktën medaljen e argjendtë, teksa sot do të luftojnë për arin në finalet e kategorive të tyre.
Në stilin greko-romak, Ardit Zeneli u ngjit në podium në kategorinë deri në 67 kilogramë.
Mundësi shqiptar mposhti grekun Stavros Ntounias me rezultatin 9-8, pas një dueli të luftuar, në të cilin Zeneli arriti ta përmbysë situatën dhe të sigurojë medaljen e bronztë.
Rezultate të rëndësishme kanë regjistruar edhe Zelimkhan Abakarov dhe Islam Dudaev, të cilët kanë avancuar deri në finale në stilin e lirë.
Abakarov garoi në kategorinë deri në 65 kilogramë. Ai e nisi turneun me një fitore 3-0 ndaj egjiptianit Eman, ndërsa në sfidën e radhës mposhti sirianin Dirki me rezultatin 6-2.
Me këtë sukses, Abakarov siguroi një vend në finale, ku do të përballet me turkun Duman për medaljen e artë.
Në kategorinë deri në 74 kilogramë, Islam Dudaev zhvilloi një paraqitje bindëse.
Fillimisht, ai e mposhti shqiptarin e Kosovës Egzon Xhoni me rezultatin 11-2, ndërsa në çerekfinale e kaloi pa vështirësi grekun Georgios Ioakeimidis, duke fituar 10-0.
Në gjysmëfinale, Dudaev u përball me spanjollin Mohammad Mottaghinia dhe e siguroi një tjetër fitore, këtë herë 3-1.
Në finale ai do të përballet me mundësin shqiptar që e përfaqëson Maqedoninë e Veriut, Fati Vejseli, në duelin që do ta vendosë medaljen e artë.
Finalet e Abakarov dhe Dudaev do të zhvillohen pasditen e sotme, me dy mundësit që e përfaqësojnë Shqipërinë që do të synojnë të ngjiten në shkallën më të lartë të podiumit.
Ndërkohë, sot e nis garimin edhe Albina Drazhi, e cila do të duelojë në çerekfinale të stilit të lirë në kategorinë deri në 68 kilogramë.
Shqipëria shpreson ta shtojë më tej numrin e medaljeve në këto Lojëra Mesdhetare.