
Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja të dala nga zgjedhjet e 7 qershorit, pasi procesi i konstituimit të Kuvendit nuk është përmbyllur.
Seanca konstituive e legjislaturës së re nisi më 6 gusht, ku deputetët dhanë betimin por procedura mbeti e papërfunduar për shkak të moszgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
Në ditët në vijim, përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk kanë prodhuar zgjidhje përfundimtare.
Ndërkohë, LDK ka deklaruar se është e gatshme të mbështesë një president konsensual dhe ka hequr dorë nga kërkesat për poste në institucionet e reja, duke thënë se nuk ka më arsye për shtyrjen e formimit të institucioneve.
Kjo situatë ka shtuar pasigurinë politike dhe mundësinë që vendi të shkojë drejt zgjedhjeve të reja , nëse partitë nuk arrijnë një marrëveshje për zhbllokimin e institucioneve.
Spahiu: Me gjasë vendi po shkon në zgjedhje, klasa politike nuk e donë Kosovën
Profesori i shkencave politike dhe analisti, Nexhmedin Spahiu në një prononcim për “Front Online” tha se Kosova, me shumë gjasë po shkon drejt zgjedhjeve të reja, në mungesë të një marrëveshjeje për zgjidhjen e situatës politike.
Duke komentuar qasjen e LDK-së, Spahiu ka thënë se kjo parti po përpiqet të mos marrë përgjegjësinë për moszgjidhjen e presidentit.
“Po, me gjasë vendi po shkon në zgjedhje. Qasja e LDK-së është e natyrshme që mos me marrë fajin për atë arsye që nuk po zgjidhet presidenti. Ajo po tregon që ne jemi për me u zgjidh presidenti, por nuk po bëhet mundësia për fajin e LVV-së”, ka deklaruar Spahiu.
Sipas tij, në rast se Kosova shkon në zgjedhje përgjegjësia është e të gjithë deputetëve.
“Nëse shkojmë në zgjedhje, fajin e kanë të gjithë deputetët, por më shumë ju takon partive që kanë më shumë deputetë”, është shprehur ai.
Spahiu ka kritikuar klasën politike për mungesë të vullnetit për të arritur një marrëveshje, duke thënë se interesi partiak po vendoset mbi interesin e vendit.
“Është dashur të arrihet një marrëveshje, por klasa politike e Kosovës nuk e do vendin, nuk ka vizion dhe këqyr veç si të përfitojë prej saj”, ka thënë Spahiu.
Demhasaj: LVV po synon ta çojë vendin në zgjedhje, nuk është e interesuar për krijimin e institucioneve
Analisti politik Arton Demhasaj ka deklaruar për “Front Online” se Lëvizja Vetëvendosje po synon qëllimisht ta çojë vendin në zgjedhje të reja, duke e akuzuar partinë në pushtet se nuk është e interesuar për krijimin e institucioneve.
“LVV qëllimin e vetëm e ka me dërguar vendin në zgjedhje. Nëse kish qenë e interesuar me krijuar institucione, ka pas mundësi me gjetë zgjidhje. Është duke munduar ta gjejë një kauzë për me dërguar vendin në zgjedhje dhe me fajësuar dikë, siç e ka bërë edhe më herët”, ka thënë Demhasaj.
Ai ka folur edhe për ofertën e LDK-së e cila sipas tij, ka ofruar mbështetje për sigurimin e kuorumit në zgjedhjen e një presidenti konsensual.
“LDK e ka dhënë ofertën e saj që mundet me ia bë kuorumin për president konsensual. As për këtë LVV duket që nuk është e interesuar, po e shkelin çdo ditë Kushtetutën”, tha Demhasaj.
Njohësi politik: LVV po ikën nga përgjegjësia, po afrohemi drejt zgjedhjeve
Njohësi i çështjeve politike, Fitim Mulolli për “Front Online” ka vlerësuar se gjasat që Kosova të shkojë në zgjedhje të reja janë shumë të mëdha, për shkak të mungesës së seancës konstituive të Kuvendit.
Mulolli ka thënë se LVV-ja e ka obligim kushtetues ta ftojë seancën por, partia po i shmanget përgjegjësisë.
“Gjasat janë shumë të mëdha që të shkojmë në zgjedhje, sepse nuk kemi ende seancë konstituive, edhe pse LVV e ka obligim kushtetues ta ftojë e ta prezantojë kandidatin, por po ik nga përgjegjësia”, ka deklaruar Mulolli.
Mulolli ka përmendur edhe ofertën e LDK-së për Presidentin, duke thënë se pas kësaj nuk kishte arsye që seanca të mos thirrej.
“Kurti me opozitën po e bën një taktizim ku një ditë del me një deklaratë pozitive, tjetrën negative. Për opozitën nuk ka vullnet për krijimin e institucioneve. LDK e tha ofertën dhe nuk ka pasur asnjë arsye më të mos thirret seanca”, është shprehur Mulolli./FrontOnline