
Bashkimi Evropian ka dërguar helikopterë, zjarrfikës dhe automjete emergjente në Serbi për ta ndihmuar vendin në përballjen me zjarret e mëdha që kanë përfshirë disa zona.
Serbia aktivizoi të premten Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të BE-së, pas javësh të tëra përpjekjesh për shuarjen e zjarrit në rezervatin natyror Deliblatska Peščara, rreth 80 kilometra larg Beogradit, si dhe në zona të tjera të vendit.
Kreu i misionit të BE-së në Beograd, Andreas Beckerath, tha se Bashkimi Evropian qëndron pranë Serbisë në mbrojtjen e jetëve, pronave dhe trashëgimisë natyrore.
Ndihma evropiane përfshin katër helikopterë zjarrfikës “Black Hawk” nga Rumania, Sllovakia dhe Republika Çeke, shkruan Reuters.
Gjithashtu, Gjermania ka dërguar 55 zjarrfikës dhe 24 automjete, ndërsa Rumania 69 zjarrfikës dhe 15 automjete.
Një helikopter nga Rumania dhe një nga Sllovakia iu bashkuan operacionit të shtunën, ndërsa dy helikopterë të tjerë nga Republika Çeke pritet të angazhohen të dielën./Sinjali