×
  • Lajme
  • Ekonomi
  • Ekonomi

    Konflikti në Lindjen e Mesme kërcënon ekonominë globale, Kosova në rrezik nga rritja e çmimeve

    FrontOnline
    03 Mars 2026

    Tensionet e shtuara dhe përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po shkaktojnë alarm në tregjet ndërkombëtare dhe po rrisin pasigurinë ekonomike në mbarë botën.

    Përtej rrezikut për sigurinë globale, zhvillimet e fundit po shihen gjithnjë e më shumë si kërcënim serioz për stabilitetin ekonomik, sidomos për shkak të rolit kyç që ky rajon ka në furnizimin botëror me energji.

    Ekspertët e ekonomisë dhe përfaqësuesit e bizneseve paralajmërojnë se bota mund të jetë në prag të një krize të re ekonomike, me pasoja të ngjashme me ato të krizave të mëparshme globale.

    Në këtë kontekst, Kosova shihet si veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre zhvillimeve, për shkak të varësisë nga importet, mungesës së rezervave strategjike dhe paqëndrueshmërisë së brendshme politike.

    Njohësit e ekonomisë vlerësojnë se ndikimi i krizës globale do të reflektohej drejtpërdrejt në koston e jetesës së qytetarëve dhe në vështirësitë e bizneseve vendore, duke rritur shqetësimet për stabilitetin ekonomik të vendit në muajt në vijim.

     

    Paralajmëron Rafuna: Nafta, rryma, transporti e çdo produkt në treg rrezikon të shtrenjtohet

     

    Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, për FrontOnline ka paralajmëruar se konflikti në Lindjen e Mesme mund të ketë ndikim të drejtpërdrejtë dhe serioz në ekonominë e Kosovës, përmes rritjes së çmimeve dhe inflacionit.

    ‘’Impakti i saj është ekonomik pasi që kur bllokohet ngushtica Hurmuzit e ki kalon 20% e naftës botërore’’, tha ai.

    Sipas Rafunës, ndikimi kryesor i këtij konflikti është ekonomik, veçanërisht në rast se bllokohet Ngushtica e Hormuzit, përmes së cilës kalon mbi 20 për qind e naftës botërore.

    “Pa dyshim që kjo sjell rritje të çmimit të naftës, të energjisë elektrike dhe rritje inflacioni, dhe ne si shtet i ri këtë impakt mund ta kemi”, ka deklaruar Rafuna.

    Ai ka sqaruar se ky konflikt ndikon pothuajse në të gjitha çmimet, pasi rritja e kostos së energjisë dhe e derivateve të naftës reflektohet në zinxhirin e prodhimit dhe të furnizimit.

    “Kur rritet çmimi i rrymës dhe i naftës, rriten të gjitha produktet, sepse këto rritje pasqyrohen edhe në tregun botëror, për shkak të çrregullimit të ofertës dhe kërkesës”, ka theksuar ai.

     

    Gërxhaliu: Bota po hyn në krizë të përmasave të vitit 2008, Kosova po e pret konfliktin pa stabilitet politik

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, për FrontOnline ka vlerësuar se përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme po e shtyn ekonominë globale drejt një krize të re të madhe, ndërsa Kosova po e përballon këtë situatë në rrethana të pafavorshme politike dhe ekonomike.

    Sipas Gërxhaliut, shumë ekspertë ndërkombëtarë tashmë kanë paralajmëruar se ky vit mund të shndërrohet në një vit krize ekonomike të përmasave të vitit 2008, duke theksuar se zhvillimet e fundit kanë ndryshuar rrënjësisht realitetin global.

     “Shumë ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar që ky vit do të jetë vit i krizës ekonomike, madje e përmasave të vitit 2008. Pas sulmeve dhe zhvillimeve të fundit, bota nuk është më siç ka qenë dhe po hyn në një fazë të re pasigurie ekonomike”, ka deklaruar ai.

    Ai ka kritikuar situatën e brendshme politike në Kosovë, duke theksuar se vendi po e pret këtë krizë pa stabilitet institucional.

    “Derisa vendet tjera po luftojnë për t’i minimizuar problemet dhe ndikimet e kësaj krize globale, ne në Kosovë kemi garë politike dhe mungesë stabiliteti politik. Kjo luftë dhe kjo krizë e gjen Kosovën në një moment shumë të pavolitshëm”, tha për Front Online Gërxhaliu.

    Duke folur për energjinë dhe tregtinë globale, ai ka vënë në pah rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, të cilën e ka cilësuar si arterien kryesore të furnizimit me naftë për ekonomitë e zhvilluara.

    “Ngushtica e Hormuzit është arteria kryesore e vendeve të zhvilluara dhe nyja më e rëndësishme për furnizimin global me naftë. Vetëm dje kanë qenë të bllokuara rreth 150 anije, ndërsa sot numri ka shkuar në 240 anije të bllokuara, dhe kjo flet shumë për seriozitetin e situatës”, ka thënë ai.

    Sipas Gërxhaliut, këto zhvillime do të reflektohen drejtpërdrejt në rritjen e çmimit të naftës dhe në përkeqësimin e kushteve ekonomike për vendet e vogla.

    “Do të ketë rritje të çmimit të naftës dhe kjo do t’i godasë ekonomitë si ajo e Kosovës në mënyrë direkte përmes rritjes së kostove, por edhe në mënyrë indirekte, sepse do të goditen ekonomitë familjare dhe do të rritet kostoja e jetesës për qytetarët”, ka përfunduar Gërxhaliu për FrontOnline.

     

    Shahini: Konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon tregjet globale dhe godet drejtpërdrejt ekonominë e Kosovës

    Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, për FrontOnline ka paralajmëruar për pasojat ekonomike që mund të sjellë përshkallëzimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Kosova është veçanërisht e cenueshme për shkak të mungesës së rezervave shtetërore të energjisë.

    Shahini tha se situata aktuale në Lindjen e Mesme po ç’rregullon tregjet në mbarë botën, ndërsa ndikimi në Kosovë pritet të jetë edhe më i ndjeshëm.

    “Situata aktuale në Lindjen e Mesme do të ç’rregullojë tregje në tërë botën e sidomos në Kosovë, ku ne nuk kemi rezerva të energjisë së lëngët, që është nafta, dhe sot ka pasur lëvizje të çmimit të naftës”, u shpreh ai për FrontOnline.

    Sipas tij, këto zhvillime dëshmojnë rëndësinë jetike të krijimit të rezervave shtetërore.

    “Kjo tregon se sa janë të rëndësishme rezervat shtetërore për të mbajtur qytetarin me rezerva. Luftërat e paparapara bëjnë ç’rregullime globale ekonomike dhe këto i paguajnë qytetarët kudo që janë”, theksoi Shahini.

    Ai shtoi se një pjesë e madhe e furnizimit botëror me naftë vjen nga shtetet arabe dhe se aktualisht ekziston rrezik serioz për zinxhirin e furnizimit, për shkak të pasigurisë në transportin detar.

    “Shtetet arabe furnizojnë pothuajse një përqindje të madhe të botës me naftë dhe tash është rrezikuar furnizimi përmes tankerëve, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove”, deklaroi ai.

     

    Dreshaj: Konflikti në Lindjen e Mesme sjell rreziqe indirekte për ekonominë e Kosovës

    Përfaqësuesi i Lidhjes së Bizneseve të Kosovës (LBK), Besart Dreshaj, për FrontOnline ka vlerësuar se situata e tensionuar në Lindjen e Mesme përbën një shqetësim serioz global, me pasoja që shtrihen përtej aspektit politik dhe të sigurisë, duke prekur edhe ekonominë ndërkombëtare, përfshirë Kosovën.

     “Situata e tensionuar në Lindjen e Mesme, përfshirë zhvillimet në Lindja e Mesme, është padyshim një shqetësim global që ndikon jo vetëm në aspektin politik e të sigurisë, por edhe në ekonominë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai për FrontOnline.

    Po ashtu, Dreshaj ka paralajmëruar për paqëndrueshmëri të zinxhirit të furnizimit, e cila mund të ndikojë si në çmime, ashtu edhe në afatet e dorëzimit të mallrave.

    Në këtë kontekst, ai ka theksuar se pasiguria e zgjatur globale mund të çojë edhe në rënie të besimit të investitorëve, duke e bërë më të vështirë tërheqjen e investimeve të reja në vend.

    ‘’Rritjen e çmimeve të energjisë dhe naftës, që reflektohet drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe transportit për bizneset tona; Rritjen e kostos së importit, duke qenë se ekonomia jonë është kryesisht e bazuar në importe; Paqëndrueshmërinë e zinxhirit të furnizimit, që ndikon në çmime dhe afate të dorëzimit;Rënien e besimit të investitorëve, sidomos nëse pasiguria globale zgjatet’’, tha ai./Front Online

     

     

     

     

     

    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Ambasada e Shteteve të Bashkuara në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thotë se “do të jetë e mbyllur deri në një njoftim të...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    ryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar kritikat se konflikti që po shpërthen në Lindjen e Mesme do të shndërrohej në një “luftë...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti i shqipërisë Bajram Begaj, zhvilloi sot një takim me akademikë nga Shqipëria e Kosova. Në takim ishin të pranishëm: Justina Shiroka...
    Të tjera
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    ryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar kritikat se konflikti që po shpërthen në Lindjen e Mesme do të shndërrohej në një “luftë...
    Lajme03 Mars 2026
    E Ngarkuara me Punë e Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, është takuar sot me ministrin e Financave, Hekuran...
    Bota/Rajoni03 Mars 2026
    Presidenti i SHBA Donald Trump deklaroi se Irani po përballet me mungesë raketash dhe pajisjesh lëshuese, ndërsa sipas tij kapacitetet e tyre...
    Sport03 Mars 2026
    Ndërsa raportimet mediatike sugjeruan se Mehdi Taremi mund të rikthehej në Iran për shkak të situatës së tensionuar në rajon, klubi i...
    Lajme03 Mars 2026
    Në qytetin e Prizrenit është inaguruar ndërtimi i shkollës së re “Nazim Kokollari” e financuar me fondet e BE-së “IPA 2017” në...
    Lajme03 Mars 2026
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje e ka ‘’detyrim’’ kushtetues me arrit konsensus për emrin...

    FrontOnline, © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara.