Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, në panelin “Trajtim i Drejtë dhe Human” të Konferencës Ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes për Ukrainën theksoi rëndësinë e përkushtimit të komunitetit ndërkombëtar për të ofruar mbështetje konkrete dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe qytetarët e saj, kthimin e fëmijëve të deportuar dhe lirimin e robërve të luftës si një synim kryesor i kësaj konference.
Ministrja Gërvalla bëri thirrje që mbështetja për Ukrainën të jetë e plotë duke shtuar se asnjë kompromis me Rusinë nuk do të sjellë paqe të qëndrueshme sepse Rusia nuk do të ndalet pa u mposhtur plotësisht.
Konferenca në Montreal ka mbledhur ministra të jashtëm nga shumë vende të botës për të diskutuar dhe mbështetur paqen dhe trajtimin e drejtë të popullit të Ukrainës, përmes formulimit të një plani të qartë dhe të qëndrueshëm.