Pas Seancës së Këshillit të Sigurimit, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka udhëtuar për në Kanada, ku po merr pjesë në konferencën ministeriale për Dimensionin Njerëzor të Formulës së Paqes 10-Pikëshe të Ukrainës, e cila po mbahet në Montreal.
Sipas komunikatës për media, kjo konferencë është organizuar nga ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melanie Joly, në bashkëpunim me atë të Norvegjisë, Espen Barth Eide, dhe të Ukrainës, Andrii Sybiha.
Konferenca mbledh ministra të Punëve të Jashtme nga e gjithë bota për të zhvilluar vizionin e përbashkët për paqe. Synimi kryesor i kësaj konference është të zhvillojë masa konkrete për kthimin e robërve të luftës, civilëve të ndaluar në mënyrë të paligjshme dhe fëmijëve të deportuar ukrainas në vendin e tyre, në përputhje me parimet e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe të drejtave të njeriut.
“Pjesëmarrja e Republikës së Kosovës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin tonë në mbështetjen e një paqeje të qëndrueshme, solidaritetin e Kosovës me popullin ukrainas, mbështetjen përmes programeve që po implementojmë si dhe përkushtimin për paqe, siguri dhe stabilitet”, thuhet në komunikatë.