Partitë politike, si ajo në pushtet Lëvizja “Vetëvendosje”, por edhe partitë opozitare, tashmë kanë “filluar fushatën” në diasporë për të takuar e kërkuar votat nga mërgimtarët për zgjedhjet e shkurtit 2025.
Kryeministri Albin Kurti është ai i cili kohës së fundit po qëndron nëpër vendet evropiane, për të folur me bashkatdhetarët për të siguruar përsëri vota nga ta.
Ngjashëm në diasporë po angazhohen edhe partitë opozitare si: LDK, PDK e koalicioni AAK-NISMA.
Në zgjedhjet e fundit qendrore të vitit 2021, mbi 55 mijë bashkatdhetarë kishin votuar, derisa shumicën e atyre votave i kishte fituar Lëvizja “Vetëvendosje”, apo mbi 44 mijë vota.
Elezi: 9440 kërkesa janë pranuar nga diaspora
Më 29 gusht 2024 është hapur aplikimi për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovë për zgjedhjet e reja, i cili do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Mbi 9400 kërkesa nga mërgimtarët për të marrë pjesë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë regjistruar, derisa mbi 8 mijë janë aprovuar.
Kështu ka bërë të ditur për “Front Online” zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
“Deri më tani përmes platformës elektronike, janë pranuar rreth 9,440 kërkesa për regjistrim, prej të cilave janë aprovuar 8,716, ndërsa 716 të tjera janë refuzuar. Në shumicën e rasteve të refuzuara, aplikuesit nuk janë fotografuar duke mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, deklaroi Elezi.
Elezi njoftoi se 4935 persona janë regjistruar për fletëvotimin me postë.
Ai tregoi edhe për aplikimet tjera që i kanë bërë mërgimtarët.
“Nga 8,716 aplikime të aprovuara, 2,757 shtetas të Kosovës janë regjistruar për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike, 1,024 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-në në Kosovë dhe 4,935 janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës”, tregoi Elezi.
Por, ndryshe nga zgjedhjet e fundit qendrore, opozita në vend thotë se janë mobilizuar në diasporë dhe se presin rezultat ndryshe nga ai i 14 shkurtit të vitit 2021.
Sokol Haliti: Në zgjedhjet e shkurtit LDK-ja do të ketë më së shumti vota në diasporë
Sekretari i Degëve me Jashtë, njëherësh kryetari i Vitisë, Sokol Haliti, është shprehur optimist se në zgjedhjet e 9 shkurtit diaspora do ta ndryshoj votën, krahasuar me ato te 2021-tes.
Haliti deklaroi për “Front Online” se partitë politike janë aktivizuar në diasporë.
“Nga zgjedhjet e ardhshme do të ketë një ndryshim të madh, kanë filluar edhe bota me kuptu realitetin në Kosovë dhe aktivizimi i partive politike në diasporë është më i madh se që ka qenë”, u shpreh Haliti.
Haliti thotë në zgjedhjet e radhës, LDK do të triumfojë me votat e diasporës.
“Zhvillimi i aktivitetit të madh politik që e kanë bërë jashtë i ka nxit me u rikthy në aktivitet partitë politike në Kosovë. Numri për partitë opozitare do të jetë më i madh nga diaspora për LDK në veçanti”, theksoi Haliti.
Xhavit Haliti: Qeveria ‘Kurti’ i dëshpëroi mërgimtarët, s’kanë interes të votojnë më
Deputeti nga radhët e “Partisë Demokratike të Kosovës”, Xhavit Haliti, nuk pret angazhim të madh të diasporës në zgjedhjet e reja.
Haliti tha për “Front Online” se mërgimtarët janë dëshpëruar me Qeverinë “Kurti”.
“Diaspora ka votuar me shpresën që do të ndryshoj mënyra e funksionimit të qeverive. Dëshpërimi më i madh i diasporës është tek Qeveria aktuale sepse përveç fjalëve, parullave dhe hapjes së Kuvendit s’ka pasur tjetër gjë. Nuk pres angazhim të madh në zgjedhje të diasporës sepse nuk kanë interes”, tha Haliti.
Shala i NISMA-s: Pasi dështoi në Kosovë, Albin Kurti po kërkon mbështetje tek diaspora, por s’do të ketë sukses
Anëtari i Kryesisë së NISMA-së, Endrit Shala ka deklaruar se diaspora është zhgënjyer nga pushteti aktual.
Shala tha për “Front Online” se Kurti pasi dështoi në Kosovë po kërkon mbështetje tek mërgimtarët.
“Kurti është i vetëdijshëm se në Kosovë ka dështuar dhe prandaj po ikë nëpër diasporë për të kërkuar mbështetje. Edhe diaspora tani e ka parë fytyrën e vërtetë të tij dhe është thellësisht e zhgënjyer me të”, u shpreh Shala.
Shala nuk ka pritshmëri se diaspora në zgjedhjet e 9 shkurtit do ta votojë sërish Kurtin.
“Diaspora nuk do ta votojë si më parë. Ata janë të vetëdijshëm se ai nuk ka sjellë ndryshimin që ka premtuar dhe se është thjesht një politikan gënjeshtar e mashtrues që përpiqet të shpëtojë veten pas dështimeve të mëdhaja në vend”, përfundoi Shala për “Front Online”.
Me 14 shkurt të vitit 2021, Lëvizja “Vetëvendosje” së bashku me Listën Guxo të presidentes Vjosa Osmani, dolën fituese në zgjedhjet parlamentare duke siguruar mbi 50 për qind të votave. Zgjedhjet e reja, janë caktuar me 9 shkurt të 2025-tes./Front Online/