Klubi i Dukagjinit të Klinës do të nisë sot përgatitjet për sezonin e ri 2024/25.
Tashmë skuadra ka pësuar ndryshime në fondin e lojtarëve, por po ashtu edhe në shtabin teknik.
Në krye të klubit nga Klina do të jetë Ismet Munishi, i cili njëherit është edhe analist i emisionit “Favorit” në T7.
Ismet Munishi sot do të fillojë punën e tij të re si trajner, gjersa po ashtu do të jetë takimi i parë edhe me lojtarët e Dukagjinit.
Nisjen e përgatitjeve e ka konfirmuar vetë klubi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, madje duke thënë se do të njoftojnë shumë shpejtë edhe për transferimet e reja.
“Ju njoftojmë se sot duke filluar nga ora 17:00 ne stadiumin “18 Qershori”, Klinë, do të fillojmë përgatitjet për sezonin e ri 2024/2025, ndërsa për transferimet e reja dhe ndryshimet tjera ne klub do t’ju njoftojmë shumë shpejt”, thuhet në njoftimin e Dukagjinit.
Dukagjini sezonin e kaluar përfundoi në vendin e shtatë në tabelë.