×
  • Opinione
  • Opinione

    Qartësia e rrezikshme

    Blerim Shala
    23 Qershor 2024

    Shkruan: Blerim Shala

    Që prej se nisi ky kapitulli i mbramë (dhe i fundit, ashtu ishte paraparë të ishte) i bisedimeve të Kosovës dhe Serbisë në marsin e vitit 2011, ishte supozuar, jo vetëm prej nesh, por edhe prej kryeqendrave perëndimore (Washingtonit dhe Brukselit) që teksa çështja e statusit të Kosovës kishte marrë fund tashmë, me bërjen e shtetit të Kosovës (në vitin 2008), dialogu në mes të autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit, do të duhej i tëri të përqendrohej në normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve.

    Serbia ishte ende brenda Kosovës, me strukturat e saja të të gjitha llojeve (prej atyre të sigurisë e tutje). Këto struktura duhej të shuheshin ose të largoheshin (në Serbi), sovraniteti i Kosovës duhej të shtrihej në të gjitha pjesët e vendit, teksa vet bisedimet do të duhej të krijonin rrethana të tilla kur Kosova dhe Serbia për herë të parë në historinë e tyre do të ishin fqinjë të mirë dhe kur do të bashkëjetonin, në një të ardhme afatmesme, si shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

    Tek e fundit, integrimi i Kosovës dhe i Serbisë në BE, shihej si një ‘forcë lëvizëse’ e këtij dialogu.

    Megjithatë, atje në vitet e fillimit të këtij dialogu, nuk kishte insistim të SHBA-së dhe të BE-së për ta definuar ‘normalizimin’ në aspektin formal, pos që më pas, ky normalizim mori emrin e një Marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ligjërisht detyruese për te dy palët.

    Llogaritej, siç do të kuptohet më pas krejtësisht gabueshëm, që edhe pse atypari ishte i pranishëm gjithnjë ai ‘Elefanti në dhomë’ (njohja formale reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë), që ky ‘Elefant’ disi duhej të injorohej, apo që deri te ai do të mbërrihej hap pas hapi, Marrëveshje pas Marrëveshjes (në dialogun teknik dhe politik), sepse në ndërkohë atmosfera politike në Kosovë dhe në Serbi do të ndryshohej aq shumë, saqë në fund, natyrshëm dhe pa tensione të mëdha, do të mbërrihej tek kjo finalja, e cila do t’i dyzojë Marrëveshjen ligjërisht obligative dhe njohjen reciproke.

    Tek e fundit, Serbia e atëhershme, e udhëhequr tashmë nga Alleksandar Vuçiq, e dinte që Serbia nuk mund dot të hyjë në BE pa e njohur Kosovës.

    Çfarë ka ndodhur në ndërkohë, dihet prej të gjithëve.

    Ideja e kësaj ideje të normalizimit pësoi dëme të mëdha. Për më shumë, në vitet vijuese, veçmas pas 2015-tës e këndej, atmosfera politike në mes të Kosovës dhe Serbisë u përkeqësua dukshëm, së bashku me rënien e vlerës së gjithëmbarshme të BE-së dhe ndërlikimin e paparashikueshëm të zhvillimeve në Evropë dhe në Botë.

    Gjendja u përkeqësua edhe më shumë në tri vitet e fundit, saqë kryepyetja në Perëndim ishte si të parandalohet rrëshqitja e raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë në një sprovë të madhe të sigurisë për këto dy shtete, për Aleancën Veri-Atlantike dhe për BE-në.

    Në këtë zbrazëti të rrezikshme të shkaktuar nga dështimi i konceptit bazë të idesë së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe nga ngritjet enorme të tensioneve në mes të këtyre dy shteteve, u lansua nisma franko-gjermane (në shtatorin e vitit 2022).

    Synohej, në këtë mënyrë të ofrohej një periudhë e ndërmjetme afatmesme, përmes të së cilës do të kalohej në një ‘normalisation light’, pa i shkuar deri në fund të gjërave, por duke i dhënë një drejtim të pakthyeshëm (sipas autorëve të propozimit), këtij procesi i cili në fund, megjithatë, do të merrte atë trajtën e njohjes formale.

    Emri i lojës këtu ishte tash ‘njohja de fakto (e Kosovës nga Serbia), në këmbim të asociacionit të komunave me shumicë serbe (detyrë e Kosovës).

    Por, nuk do të vonojë dhe të lindin pyetjet e mëdha për thelbin e Marrëveshjes themelore (Bruksel, 27 shkurt, 2023), dhe Aneksit të Ohrit (Ohër, 18 mars, 2023).

    Këto pyetje shtroheshin në këtë mënyrë: Çka në të vërtetë paraqet njohjen de fakto e Kosovës nga Serbia, dhe çka duhet të jetë Asociacioni si i tillë?

    Ndërsa pyetja tjetër, e cila poashtu e përcjell këtë ndërmarrje të re ndërkombëtare është: A ka në të vërtetë fare Marrëveshje, kur dihet se si i ka trajtuar këto akorde gojore Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq?

    Proceset e këtilla të cilat gjithqysh janë të ndërlikuara, edhe kur ka vullnet të sinqertë të të gjitha palëve për të ecur para, nuk mund dot ta përballojnë gjithë këtë paqartësi dhe pasiguri.

    Kjo është e qartë.

    Nuk mund dot të bëhet gjë relevante në këtë ndërmarrje pa iu dhënë përgjigje kategorike këtyre pyetjeve të rënda.

    Edhe kjo është e qartë.

    Banorja e 13-të e BBVK rrëfen ngjarjen e frikshme që i ka ndodhur
    Nga Rubrika
    Opinione28 Qershor 2024
    Është thelbësore që politikëbërësit dhe prodhuesit kosovarë të kuptojnë se pa koordinim të punës nuk mund të ketë progres. Gjithashtu, është iluzore...
    Opinione27 Qershor 2024
    Nga: Gideon Rachman, The Financial Times. “Evropa jonë është e vdekshme; ajo mund të vdesë”, paralajmëroi Emmanuel Macron në fund të prillit....
    Opinione26 Qershor 2024
    Nga: Andrey Kurkov (botuar në korrik 2023 nga PEN International me titullin Ukraina, një histori për t’u bashkëndarë) Përktheu: Andreas Dushi Kur...
    Të tjera
    Lajme30 Qershor 2024
    “I frikësohet edhe një pamfleti me imazhin e Aleksandër Vuçiqit që dikush e ka ngjitur. E vetmja gjë që mund të bëjë...
    Lajme30 Qershor 2024
    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka njoftuar se nga data 2 deri më 4 korrik do të mbahen disa aktivitete...
    Lajme30 Qershor 2024
    Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, për FrontOnline, thotë se Qeveria Kurti ka premtuar ndërtimin e pesë shtëpive për të moshuarit por që...
    Lajme30 Qershor 2024
    Lëvizja Vetëvendosje dhe kryeministri Albin Kurti, gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kishin premtuar së paku ndërtimin e pesë shtëpive të përkujdesit...
    Sport30 Qershor 2024
    Shqipëria u kualifikua për herë të dytë në histori në një kompeticion madhor si Evropiani. Andaj edhe përkrahja e tifozëve shqiptar nga...
    Lajme30 Qershor 2024
    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, ka thënë se mos mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të krijojë mundësi dhe...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.