×
  • Bota/Rajoni
  • Bota/Rajoni

    Rusia i shtyn të rinjtë ukrainas të nënshkruajnë kontrata për të luftuar kundër Ukrainës

    FrontOnline
    26 Maj 2024

    Banorët e rajonit Luhanks të Ukrainës, i cili është pothuajse plotësisht i pushtuar nga Rusia, thonë se oficerët rusë po bëjnë përpjekje të jashtëzakonshme për t’i rekrutuar studentët në universitete dhe institute për të shërbyer me kontratë në Forcat e Armatosura të Rusisë.

    Duke qenë nuk po i shihet fundit luftës në të cilën janë vrarë apo plagosur më shumë se 315.000 burra rusë, prej se filloi pushtimi i plotë në shkurt 2022 – sipas vlerësimeve amerikane – Qeveria e presidentit rus Vladimir Putin duket se ka për qëllim ta ruajë apo ta rrisë numrin e ushtarëve.

    I etur ta shmangë përsëritjen e mobilizimit nga viti 2022, i cili i nxiti qindra mijëra njerëz të ikin nga Rusia, Kremlini po synon të marrë ushtarë me kontratë për ta rritur numrin e trupave në 1.32 milion në vitin 2024.

    Në dhjetor 2023, ministri i atëhershëm i Mbrojtjes, Seregi Shoigu, ia vuri vetes një synim “top prioritet” që ta ketë një personel me kontratë prej 745.000 vetash deri në fund të vitit 2024, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve, TASS.

    Përpjekjet e Rusisë për rekrutim dhe thirrje në ushtri nuk janë të kufizuara vetëm brenda territorit rus. Derisa është e jashtëligjshme me ligj ndërkombëtar, ushtria ruse synon të rekrutojë burra në pesë rajone ukrainase që Moska pretendon pa asnjë bazë se janë të saj: Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson dhe Krimea.

    Shumë djem të intervistuar nga Donbas.Realities e Radios Evropa e Lirë në rajonin e Luhanskut, i cili është pothuajse tërësisht nën kontrollin rus, thanë se universitetet dhe institutet janë bërë vende kryesore rekrutimi për forcat ruse.

    Serhiy, një student 20-vjeçar në një institut në qytetin Luhansk, tha se afishe rekrutimi për shërbime me kontratë në Forcat e Armatosur të Rusisë janë tashmë të “zakonshme” dhe shfaqen në muret e klasave të studentëve.

    “Ne bënim shaka se kjo dukej si një mënyrë për të na motivuar, për shembull, ‘nëse nuk mësoni, do t’i bashkoheni ushtrisë’”, tha Serhiy, i cili, njëlloj sikur të intervistuarit e tjerë, kërkoi që të përdorej vetëm emri i tij nga frika për hakmarrje.

    “Standarde sovjetike”

    Shënjestër e fletushkave rekrutuese janë studentët e etur për punë. Në to ka premtime për banim falas, kujdes shëndetësor, dhe së paku një muaj pushim me pagesë çdo vit. Pagesa dallon varësisht prej gradës dhe aktiviteteve, ndërsa ka një pagesë shtesë prej 195.000 rublave [2.150 dollarësh] për nënshkrimin e kontratës.

    Në përpjekje për t’i bindur për nënshkrimin e kontratave, oficerët ushtarakë rusë, të vendosur “posaçërisht” pranë një instituti të Luhanskut, u afrohen studentëve gjatë pushimeve të gjata, apo pas përfundimit të mësimit, për t’iu kërkuar një cigare apo çakmak, tha Anton, i cili studion atje.

    Oficerët të “tregojnë çfarë të ardhme madhështore do të kesh, nëse shkon për të luftuar” dhe të sigurojnë se ushtarët me kontratë në ushtrinë ruse “trajtohen me respekt, vlerësohen dhe mbrohen”, tha Antoni.

    Në një postim në rrjetet sociale më 10 prill, Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe tha se ushtria ruse “kërkon t’i rekrutojë 400.000 ushtarë me kontratë në vitin 2024.”

    Në fillim të prillit, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se më shumë se 100.000 burra kanë nënshkruar kontratë deri tani.

    Nuk ka të dhëna zyrtare publike për numrin e burrave në pjesët e pushtuara nga Rusia në Ukrainë, të cilët i janë përgjigjur kësaj fushate rekrutimi.

    Në janar, Qeveria ruse ua lehtësoi burrave mënyrat për t’iu bashkuar ushtrisë, duke e ndryshuar testin e detyrueshëm dypjesësh mjekësor në vetëm një test në zyrat qendrore të rekrutimit ushtarak.

    Ihor, një rekrut në rajonin Luhansk, i cili ndodhet në një kamp stërvitor rajonal, tha se oficerët e ushtrisë ruse ndjekin “standarde sovjetike” dhe janë të përqendruar në plotësimin e kuotave, pa u shqetësuar për testet mjekësore.

    “Ju shkoni dhe thoni: ‘Dua kontratë’. Ata madje nuk mundohen as të të kontrollojnë. Thjesht të pyesin: ‘Pra, ta shkruaj se ju jeni i shëndosh?’”, tha Ihor, duke cituar përvojat e të afërmve.

    Një nënë në Luhansk, Anastasia, tha se “gjuetia” për burra të rinj, të cilët do të nënshkruajnë kontratë me ushtrinë, fillon me studentët e shkollës së mesme të moshës 16-17 vjeç.

    Të pajisurit me “pasaportë të brendshme” ruse plotësojnë kushtin për kontratë sapo t’i kenë mbushur 18 vjet dhe të kenë diplomuar nga shkolla e mesme. Regjistrimi për shërbim ushtarak është i detyrueshëm nga mosha 17-vjeçare.

    Në muajt e fundit, sipas Anastasias, shkolla e djalit të saj ua ka kujtuar studentëve vazhdimisht afatin e fundit për regjistrim në ushtri. Për t’i nxitur ata, shtoi ajo, shkolla shpesh ka mbajtur takime me të ashtuquajturit “heronjtë e luftës, të cilët u tregojnë studentëve “sa e rëndësishme dhe prestigjioze është ta mbrosh atdheun nga nazistët” – duke iu referuar pretendimeve të rrejshme të Putinit për Qeverinë e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

    Anastasia i përshkroi ato si takime pa trysni dhe “biseda normale”, por biri i saj, tregoi ajo, tha se në biseda kishte edhe pyetje “alarmuese” për atë nëse dini “të shtini mirë”./REL

    KESCO u certifikua me tri ISO Standarde
    Nga Rubrika
    Bota/Rajoni26 Qershor 2024
    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte është deklaruar pas emërimit të tij në pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s. Në një reagim...
    Bota/Rajoni26 Qershor 2024
    Shefi aktual i NATO-s, Jens Stoltenberg e ka lavdëruar pasardhësin e tij në krye të Aleancës, Mark Rutte. “Marku është një transatlanticist...
    Bota/Rajoni26 Qershor 2024
    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, është zgjedhur si Sekretar i ardhshëm i NATO-s. Emërimi i Rutte si shefi i ardhshëm i NATO-s...
    Të tjera
    Sport26 Qershor 2024
    Në Prishtinë ka filluar Kampionati Evropian për Shtetet e Vogla. Në këtë Evropian po marrin pjesë tetë kombëtare, derisa do të zgjasë...
    Lajme26 Qershor 2024
    Dialogu teknik ishte shumë më produktiv sesa dialogu aktual politik, ndërsa gatishmëri për arritjen e normalizimit të raporteve nuk kanë shfaqur Prishtina...
    Lajme26 Qershor 2024
    Një incident i zjarrit ka ndodhur pas mesnate në lagjen Emshir në Prishtinë, ku janë djegur tri vetura në garazhën e një...
    Sport26 Qershor 2024
    Franca, nënkampionia e botës, favoritja e madhe për të fituar evropianin në Gjermani, e mbylli fazën e grupeve si e dyta, pas...
    Lajme26 Qershor 2024
    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë kanë rrëzuar kërkesën e dëshmitarit Kurtesh Fondaj, që t’i caktohet një avokat mbështetës në...
    Vip26 Qershor 2024
    Këngëtarja e njohur, Teuta Selimi e ka gati projektin e saj të ri muzikor. Ajo përmes Instagramit ka bërë të ditur se...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.