×
  • Opinione
  • Opinione

    Në 25 vjetorin e anëtarësimit të Çekisë në NATO: Ngjarja që ndryshoi rrjedhën e historisë

    Jan Lipavský
    13 Mars 2024

    Shkruan Jan Lipavský:

    “Qëllimi ynë i përbashkët, me kalimin e kohës, është që të bëjmë për Lindjen e Evropës atë që tashmë NATO ka ndihmuar për ta bërë për Perëndimin e Evropës. Në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, do të vazhdojmë të fshijmë vijën e tërhequr në Evropë nga çizmja e përgjakshme e Stalinit”, ka thënë njëzet e pesë vjet më parë, Sekretarja e atëhershme amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, derisa mirëpriste anëtarët e parë (të rinj) të NATO-s, që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

    Fatkeqësisht, sot në Evropë po vihet një vijë e re – nga një diktator me një tjetër emër, i cili pa turp po kryen të njëjtat krime të tmerrshme si ai i mëparshmi.

    Një mësim nga e kaluara: Njëzet e pesë vjet më parë, më 12 mars, Çekia, Polonia dhe Hungaria u bënë vendet e para nga ish-Blloku Lindor që u bashkuan me NATO-n. Kjo ngjarje ndryshoi rrjedhën e historisë, si për Çekinë ashtu edhe për NATO-n.

    Integrimi i suksesshëm i këtyre tri vendeve në politikat dhe strukturat e NATO-s ndihmoi në hapjen e dyerve për vendet e tjera të Evropës Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Qysh në vitin 2002, Praga priti një Samit të NATO-s ku u mor vendimi për një valë tjetër zgjerimi.

    Zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore ishte me rëndësi dhe urgjencë më të madhe sesa mund ta imagjinonin arkitektët e saj. Si do të dukej Evropa sot nëse liderëve të Perëndimit në atë kohë t’u duheshin 10 vjet për ta menduar mirë? Nëse Çekia, e udhëhequr nga Václav Haveli, nuk do të përdorte lirinë e saj të sapofituar, kapitalin politik dhe vendosmërinë për t’u bashkuar me Perëndimin? NATO ndoshta nuk do të kishte gjetur kurrë guximin për t’u angazhuar në mbrojtjen e Evropës Qendrore. Ndoshta sot do të kishim frikë se do të mbizotëronte lodhja perëndimore me Evropën Qendrore dhe se, në interes të paqes, Perëndimi do të pranonte ndikimin ose kontrollin rus të Rigës, Varshavës, madje edhe Pragës?

    Ne demonstrojmë përkushtimin tonë të palëkundur për sigurinë e përbashkët, përmes përpjekjeve tona diplomatike të përditshme, përfshirjes sonë aktive në operacionet aktuale dhe historike të aleatëve – si ato në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme – dhe mbështetjen tonë të palëkundur për mbrojtjen e Ukrainës, ilustruar nga iniciativat si programi i fundit i municionit.

    Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2014 dhe përshkallëzimi i mëvonshëm në 2022, shërbeu si kujtesë e fortë e rolit vendimtar të NATO-s në mbrojtjen kolektive. Tani po përgatitemi për një kapitull të ri në historinë e Aleancës së NATO-s. Ukraina, e cila i ka dalë me guxim ushtrisë ruse, e gjen veten në një situatë të vështirë. Pavarësisht se nuk është integruar në NATO apo në BE, Ukraina ka sakrifikuar shumë më tepër për vlerat perëndimore se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne nuk duhet të heqim dorë nga partneri ynë. Duhet t’i ofrojmë garanci të besueshme sigurie.

    Në botën e sotme, derisa regjimet autoritare përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës, jemi dëshmitarë të pasojave të mungesës së rregullave. Me dyshimet për kohezionin dhe të ardhmen e Aleancës, që dalin nga vende të ndryshme në Evropë dhe ShBA-ja, është e qartë se një NATO më e fortë është thelbësore – tash më shumë se kurrë. Derisa bota ka qenë gjithmonë një vend i ndërlikuar, vjen një moment kur veprimi është i nevojshëm. Vëzhgimi i një problemi mund të duket më i lehtë, por shpeshherë çon në një rrugë pa krye. Që nga viti 1999, Çekia ka qëndruar krah për krah me aleatët e saj dhe së bashku ne përparojmë duke trasuar rrugën përpara./Telegrafi

    Menaxho shpenzimet dhe fito zbritje me aplikacionin e Petrol Company
    Nga Rubrika
    Opinione21 Maj 2024
    Shkruan: Blerim Shala Në ditët vijuese do të kuptojmë të gjithë ne se a do të mbahet tutje tradita që është instaluar...
    Opinione20 Maj 2024
    Shkruan Bekim Çollaku E diela e qetë e tradhton vazhdimisht kryeqytetin tonë jashtëzakonisht të zhurmshëm. Java që fillon nesër do të mund...
    Opinione17 Maj 2024
    Nga: Ben Andoni  Pakkush mund të mëdyshojë për aspektin e kuruar estetik, që kryeministri shqiptar Rama, e ka rrethuar me sukses pamjen...
    Të tjera
    Bota/Rajoni21 Maj 2024
    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, njofton se është hapur rruga Dobrunë-Blinisht, Has në kufirin Kosovë-Shqipëri. “Një angazhim i marrë gjatë mbledhjes së...
    Vip21 Maj 2024
    Në një rrëfim mes emocionesh, Kledi Hysa, ka rrëfyer në “Ftesë në 5” gjithë përjetimet e momentit më të bukur në jetë,...
    Lajme21 Maj 2024
    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes Financiare për IPA 2016 ndërmjet Kosovës dhe BE-së, projektligj ky...
    Lajme21 Maj 2024
    Qeveria ka marrë vendim për shpërbërjen e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës” (NKEC). Kryeministri Albin Kurti tha në...
    Lajme21 Maj 2024
    Qeveria e ka miratuar një vendim për emërimin e një komisioni ‘ad hoc’ që do ta zgjedhë drejtorin ekzekutiv të Agjencisë për...
    Bota/Rajoni21 Maj 2024
    Një 48-vjeçar në Kavajë është vënë në pranga pasi dyshohet të ketë kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur, në...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.