×
  • Opinione
  • Opinione

    Asgjë normale këtu nuk ka

    Blerim Shala
    12 Janar 2024

    Është një tabllo televizive që ka siguruar përjetësinë e vet sa herë që dikush ka bërë film dokumentar për ato ditët e para të blic luftës në mes të APJ-së (Armatës Popullore të Jugosllavisë) dhe Forcave mbrojtëse (ushtarake dhe policore) të Sllovenisë, në qershorin e vitit 1991, kur kjo republikë e RSFJ-së shpalli pavarësinë e saj.

    Në këtë xhirim që atëherë bëri xhiron rreth Botës për 24 orë, një ushtar i APJ-së pyetet prej gazetarëve se çka është duke bërë kështu i shtrirë në një pozicion afër kufirit të RSFJ-së/ Sllovenisë dhe Austrisë, duke mbajtur një AK-47 (pushkë automatike), tyta e së cilës ishte e drejtuar kah një cak i panjohur.

    Ai përgjigjet kështu: ‘Këta (sllovenët, vër.ime), kinse po duan të shkëputen, e ne kinse nuk po i lejojmë…’.

    Sado që e vërteta do të dalë më ndryshe, sepse Sllovenia njëmend do të shkëputet apo do të pavarësohet vetëm disa muaj më pas (në janarin e vitit 1992), ky incizim dëshmonte më shumë se të gjitha fjalët e mundshme se në çfarë situate absurde u gjet asokohe Armata Popullore e Jugosllavisë së atëhershme, e cila ndryshe klasifikohej si ushtria e katërt më e fuqishme në Evropën e viteve të tetëdhjeta, kur ende sundonte Rendi ndërkombëtar i krijuar në ‘Luftën e Ftohtë’.

    Histori e ditur thuaja për të gjithë ne.

    Pak ditë më parë, natyrisht, në rrethana krejtësisht tjera politike dhe ndërkombëtare, ky rrëfimi i vitit 1991, ka mundur lirisht të ri-emitohet, me thuaja të njëjtin efekt.

    Bëhet fjalë për 9 janarin në Banja Llukë (Republika Serbe, në Bosnjë dhe Hercegovinë), kur u shënua me një pompozitet të pashoq për shumë vite, dita e themelimit të këtij entiteti, në vitin e largët 1992, pra as një vit më pas kësaj ngjarjeje të shumëpërfolur në kufirin e Sllovenisë dhe Austrisë.

    Shumëkush ka mundur të rikujtojë, me të njëjtën saktësi, atë pohimin e ushtarit të APJ-së: ‘Këta kinse po shkëputen, e ne kinse nuk po i lejojmë’.

    Këtu tani bëhet fjalë për Republikën Serbe, të prirë nga Millorad Dodik, një mik i madh i Presidentit të Rusisë, Vlladimir Putin dhe atij të Serbisë, Alleksandar Vuçiq, e cila gjithqysh dëshiron të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina dhe t’i bashkohet Serbisë (këta nuk duan të jenë shtet i pavarur), teksa Perëndimi synon që me çdo kusht ta pamundësojë një veprim të kësisojtë, i cili mund ta përmbysë me ka krejt shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, i cili edhe ashtu mezi po mbahet në këmbë.

    Manifestimi i kremtimit të ditës së Republikës Serbe, të martën e kaluar, ishte prej pikës së parë e deri në të fundit, provokim dhe poshtërim i shtetit të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe provokim dhe përbuzje e Perëndimit nga ana e lidershipit serb të këtij entiteti por edhe të vet Republikës së Serbisë.

    Ishte ky një eskalim i madh politik dhe diplomatik në zemër të Ballkanit Perëndimor, nga bartësit e një projekti të bashkimit të Republikës Serbe, por edhe të Malit të Zi dhe Veriut të Kosovës, në një shtet të përbashkët të Serbisë, me kryeqytet Beogradin.

    Tej krahasimeve të cilat zunë vend në krye të këtij shkrimi, është krejtësisht transparente që në vijim të kësaj politike të krijuar dhe të orkestruar nga Beogradi zyrtar, më së shumti nga Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, Bosnja dhe Hercegovina është në një gjendje shumë të keqe, teksa këto zhvillime në këtë shtet, janë interes sipëror i Vlladimir Putinit dhe Federatës së Rusisë.

    Mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë tash e tutje në Bosnjë dhe Hercegovinë. Gjasat për një formalizim të shpejtë të prishjes së këtij shteti janë megjithatë kurrfarë, më së shumti për shkak të kundërshtimit të SHBA-së dhe BE-së. Megjithatë, gjasat janë po të njëjtat, nëse edhe më të vogla, për ta bërë Bosnjën dhe Hercegovinën shtet funksional në të katër anët e tij.

    Diçka e tillë nuk do të mund të arrihet derisa vet Serbia nuk bëhet një shtet normal që respekton kufijtë, integritetin territorial dhe sovranitetin të të gjitha shteteve me të cilat kufizohet ajo.

    Nuk është pra çështje e vetme normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ky normalizim duhet të ndodhë edhe në raportet e Serbisë me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe me Malin e Zi.

    The Victor vjen me këngë të re “Got U”
    Nga Rubrika
    Opinione16 Maj 2024
    Shkruan: Ditmir Bushati Ashtu siç pritej zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut rikthyen në pushtet partinë konservatore VMRO-DPMNE. Ajo siguroi...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Adri Nurellari Në botën tonë të trazuar, ku konfliktet dhe tensionet gjeopolitike shpesh dominojnë titujt e mediave, dialogu dhe përpjekjet për...
    Opinione15 Maj 2024
    Nga Albert Prenkaj  Me Deklaratën e Göttweigut të 23 qershorit 2023 të shtat (7) vendeve të BEsë, dalin angazhime shtesë për bashkëpunim...
    Të tjera
    Lajme16 Maj 2024
    Emisari i posaçëm i ish-Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka dhënë një koment mbi letrën që tre liderët evropianë, kancelari...
    Lajme16 Maj 2024
    Ambasada e Italisë në Kosovë, ka bërë të ditur se me liderin e PDK-së, Memli Krasniqi, ambasadori Antonello De Riu, pati një...
    Lajme16 Maj 2024
    Kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, njëherësh kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme nga Partia Demokratike e Kosovës sonte bashkë me ambasadorin...
    Bota/Rajoni16 Maj 2024
    Ministrat e financave të G7 po përgatiten të mbështesin një plan të BE-së për të përdorur fitimet nga asetet e ngrira ruse...
    Lajme16 Maj 2024
    Opinionisti Bekim Çollaku, është shprehur sonte se letra e dërguar nga kryediplomatja Donika Gërvalla-Schwarz, për zotimin për themelim të Asociacionit, është fyerje...
    Vip16 Maj 2024
    Pas gjithë thashethemeve për një ndarje mes çiftit, duket se Lumbardhi po i jep fund. Ai ka postuar në instastory video me...

    FrontOnline, © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara.