Kreu i dizajnit të brendit Volkswagen, Andreas Mindt, ka konfirmuar zyrtarisht se një model i ri Golf GTI, tërësisht elektrik, do të lansohet në vitin 2026.
Në një postim në Instagram, Mindt shfaqi historikun e GTI, duke filluar me atë të vitit 1975.
“Në vitin 2026, ne do të prezantojmë versionin elektrik të këtij modeli ikonik”, shkroi Mindt.
Krahas postimit, ai ndau edhe një skicë, duke krahasuar GTI-në origjinale me ID-në e ardhshme elektrike.
Ndërsa VW ka konfirmuar synimin e saj për të prodhuar modelin elektrik të Golf GTI muaj më parë, tani e kanë zyrtarizuar lansimin e tij.
Në atë kohë, VW e përshkroi ID GTI-në si një koncept afër asaj që po planifikonte të prodhonte.
Por, ky llogaritet lajm i mirë, pasi reagimet ndaj veturës ishin pozitive, falë pamjes dhe performancës së tij.
Fatkeqësisht, detajet rreth fuqisë së modelit nuk janë ndarë ende. Megjithatë, thuhet se ka të ngjarë që motori i tij të ketë fuqi më shumë se 150 kW.
VW po punon për të siguruar që versioni ID të ketë një çmim bazë prej më pak se 25 mijë euro, ndërsa ID GTI me performancë më të lartë do të kushtojë më shumë se kaq.
Mbetet për t’u parë nëse ky model do të shitet jashtë Evropës./FrontOnline/