Zyra e Rregullatorit për Energji pak ditë më parë ka paralajmëruar shqyrtim të jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2023.
Lidhur, me këtë paralajmërim nga ky institucion për Front Online kanë thënë se deri më 3 mars mund të dorëzohen komente për këtë çështje.
“Palët që dëshirojnë të shprehin mendimet e tyre për qëndrimin e ZRRE-së janë ftuar t’i dorëzojnë komentet e tyre me shkrim, jo më vonë se 3 mars 2023, në ora 16:00h. Pasi të përfundon ky proces i vendimmarrjes për të Hyrat e Lejuara maksimale, pason procesi i shqyrtimit të tarifave për vitin 2023”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së, për Front Online.
E pas kësaj date fillon shqyrtimi i jashtëzakonshëm i ndryshimit tarifor.
“Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) është në procesin e Shqyrtimit Periodik për Periudhën e Tretë Rregullative, e cila përfshinë përcaktimin e të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) nga data 1 prill 2023 deri 31 mars 2028. Shqyrtimi Periodik do të përcaktojë të Hyrat e Lejuara Maksimale për Operatorin e Sistemit, të Transmisionit dhe Tregut (OST/OT-KOSTT sh.a) dhe Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (OSSH-KEDS sh.a). Po ashtu ZRRE është në procesin e Përshtatjes së Rregullt të të Hyrave të Lejuara Maksimale (HLM) për Furnizuesin me Shërbim Universal (FSHU). Gjatë këtij shqyrtimi ZRRE ka trajtuar edhe kërkesat nga palët për Shqyrtim të Jashtëzakonshëm, ndikimi i të cilave do të merret për bazë gjatë këtij procesi”, thuhet më tutje në përgjigje.
Kosova gjatë viteve të fundit është përballuar me krizë energjetike, ajo është zgjeruar duke e pasur për bazë edhe gjendjen energjetike në nivel global.
Dimrit e vitit 2022 kishte mungesë të theksuar të energjisë rrjedhimisht edhe reduktime, ZRrE i kishte ndryshuar tarifat duke i shtrenjtuar faturat për ata që shpenzojnë mbi 800 kËh./Front Online