Gati 200 njerëz diagnostikohen me sklerozë të shumëfishtë çdo javë.
Skleroza e shumëfishtë është një sëmundje inflamatore kronike e sistemit nervor qendror (truri dhe shtylla kurrizore). Ajo shfaqet kur sistemi imunitar shënjestron gabimisht substancën që mbron fibrat nervore në tru dhe shtyllën kurrizore.
Çdokush mund të preket nga skleroza e shumëfishtë, edhe pse gratë janë më të rrezikuara dhe zakonisht diagnostikohet mes moshave 15-60 vjeç. Predispozitat janë më të larta nëse keni ndonjë histori familjare me këtë sëmundje ose çrregullime të tjera autoimune. Duhanpirja dhe mononukleoza gjithashtu rrisin rrezikun e zhvillimit të sklerozës së shumëfishtë.
Në fazat e para, simptomat e sklerozës së shumëfishtë mund të shfaqen e zhduken pas disa kohësh (mund të keni një simptomë e cila zhduket për pak muaj ose edhe vite).
Ja cilat janë disa nga simptomat që shfaqen më shpesh tek personat që vuajnë nga skleroza e shumëfishtë.
Dobësi dhe lodhje
Rreth 80% e personave në fazat e para të sklerozës së shumëfishtë kanë një dobësi të pashpjegueshme të muskujve, që zakonisht fillon në këmbë. Mund të keni gjithashtu mpirje apo ndjesi si të shpimit me gjilpëra, bashkë me lodhjen kronike, e cila shfaqet krejt papritur dhe zgjat për disa javë para se të fillojë të përmirësohet gjendja.
Probleme me shikimin
Nëse ju duket sikur ka filluar t’ju përkeqësohet shikimi, mund të keni sepse i keni picërruar sytë para kompjuterit apo telefonit për një kohë të gjatë apo thjesht sepse po plakeni. Në raste shumë të rralla mund të jetë shenjë edhe e sklerozës së shumëfishtë, duke qenë se sëmundja mund të shkaktojë inflamim të nervit optik në sy. Nëse një pjesë e fushës së shikimit ka filluar të bëhet e turbullt ose ka raste kur keni vizione të dyfishta, konsultohuni me një mjek.
Dhimbje dhe ngërçe muskulore
Dhimbjet e pashpjegueshme të këmbëve, ngërçet ose ngurtësimi i muskujve janë të gjitha simptoma të zakonshme të sklerozës së shumëfishtë. Sipas Shoqatës Kombëtare të Sklerozës së Shumëfishtë, 55% e njerëzve që vuajnë nga kjo sëmundje kanë dhimbje të konsiderueshme në një moment. Gratë sidomos kanë më shumë dhimbje se burrat.
Probleme me fshikëzën e urinës
Vraponi për në tualet gjatë gjithë kohës? Mos mendoni se e keni vetëm nga moshimi apo se po vuani nga pasojat e fëmijërisë. Simptomat e sklerozës së shumëfishtë përfshijnë edhe urinimin e shpeshtë apo nevojën urgjente për të urinuar. Disfunksioni seksual mund të jetë gjithashtu simptomë e kësaj sëmundjeje.
Probleme me kujtesën
Duke qenë se skleroza e shumëfishtë prek sistemin nervor, nuk janë të pazakonshme problemet me kujtesën, të folurin apo përqendrimin.
Nëse dyshoni se keni sklerozë të shumëfishtë…
Konsultohuni më parë me mjekun e familjes, i cili mund t’ju referojë tek një neurolog. Duhet t’i nënshtroheni një ekzaminimi të syrit dhe neurologjik.
Nuk është i lehtë diagnostikimi i sklerozës së shumëfishtë, madje ka raste kur ajo keqdiagnostikohet dhe pacienti vazhdon të marrë kurë për një sëmundje që nuk ka asnjë lidhje me të. Prandaj duhet t’i keni parasysh këto simptoma dhe mos hezitoni të bëni çfarëdolloj pyetje për të./FrontOnline/