×
  • Opinione
  • Opinione

    40 ditë që prishën 22 vjet

    FrontOnline
    04 Prill 2022

    Lufta në Ukrainë, që ka hyrë tashmë në muajin e dytë, sipas rrjedhës së saj javëve të fundit, ka marrë drejtimin e qartë që nuk mund të ndryshojë shumë, pa marrë parasyshë edhe sa do të zgjasë.

    Dështimin e madh, thuaja turpërues të Forcave ushtarake të Rusisë, që t’i realizojë objektivat e definuara nga Presidenti Vladimir Putin, Moska zyrtare po e ‘mbulon’ me formulimet e llojit që tashmë është kryer Faza e parë e ‘Operacionit Special’, dhe që tash e tutje do të përqëndrohet në marrjen nën kontroll të plotë të Rajonit të Donbasit, në lindje të Ukrainës.

    Njëkohësisht po zhvillohen edhe negociatat në mes të përfaqësuesve të dy shteteve, të cilat në raundin e fundit të mbajtur në Stamboll, me ndërmjetësimin e Qeverisë së Turqisë dhe të Presidentit Erdoan, sollën shenjat e para të një Marrëveshjeje eventuale.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që ka shfaqur publikisht qëndrimin  e tij sipas të cilit Ukraina do të hiqte dorë nga anëtarësimi në Aleancën veri-Atlantike, pra, do të bëhej ushtaraksiht neutrale, në këmbim të një Marrëveshjeje për garantimin e mbështetjes nga një grup shtetesh  (duke përfshirë këtu edhe vet Federatën e Rusisë), poqëse do të sumohej ushtarakisht nga një shtet tjetër. Njëkohësisht, Ukraina në një të ardhme të afërt do të bëhej shtet anëtar i Bashkimit Evropian.

    Nuk ka dyshim që ky është një Propozim shumë i mençur, i cili do të mundësonte një paqe të mirëfilltë dhe afagjatë për Ukrainën.

    Teksa ky dimensioni i jashtëm i gjithë kësaj përplasjeje të përgjakshme në mes të Rusisë dhe Ukrainës, duket që do të ecën në këtë drejtimin e këmbimit të heqjes dorë të Ukrainës nga synimi për të qenë shtet anëtar i Paktit NATO, me këto Garancat ndërkombëtare, dimensioni i brendshëm do të jetë shumë më i vështirë, shumë më problematik, shumë më i ndërlikuar.

    Putin, sipas të gjitha gjasave, këtu dëshiron që dështimin e tij për ta rrëzuar Qeverinë legjitime të Ukrainës  (apo për ta ‘Denacifikuar Ukrainën’), ta transformojë në këto bisedime si një ‘lëshim pe’ të tij, duke mos pasur gjë kundër që Zelensky të mbetet në postin e Presidentit të Ukrainës. Sërish, me atë logjikën e këmbimit  (tregtar), një ‘koncesion’ të kësisojt në këtë aspekt, Putin dëshiron ta materializojë me pëlqimin e Kijevit zyrtar për statusin e dy ‘Republikave’ (të Luhanskut dhe Donjeckit) në lindje të Ukrainës, dhe me faktin që Krimea do të mbetet tash e tutje pjesë e Rusisë.

    Rusia ka njohur ‘pavarësinë’ e këtyre dy ‘Republikave’, pak ditë para se ta nisë luftën kundër Ukrainës, por realisht, rrjedha e luftës nuk i shkon fare për shtati opsionit të ekzistimit të tyre si dy ‘Republika’ të pavarura. Federalizimi i Ukrainës, objektivisht është maksimumi të cilin mund ta arrijë Putin në këto bisedime. Teksa kthimi i Krimesë nën pushtetin e Kijevit, nuk ka si të ndodhë në negociatat në mes të përaqësuesve të dy shteteve.

    Mësymja e Putinit në Ukrainë dhe kundër Zelenskyt, si dhe rezistenca e Ukrainës kundër këtij agresioni, që njeh Zelenskyn si kryeprotagonist të saj, ka bërë që Presidenti i Ukrainës është më i popullarizuar se kurrë në vend dhe në qarqet ndërkombëtare. Njëkohësisht, ai ka potencial negociator të madh, të cilin dëshiron ta shfrytëzojë për ta ruajtur tërësinë territoriale të Ukrainës, dhe për të hequr qafe praninë ushtarake të Rusisë në çdo cep të terrritorit të këtij shteti.

    Do të jenë këto negociata shumë të vështira, të cilat do të zhvillohen, sipas të gjitha parashikimeve, gjatë luftimeve të reja, të cilat do të mund të përfundojnë me një armëpushim vetëm nëse Forcat ruse do të pushtojnë gjithë Donbasin. Atëherë, Moska zyrtare do të jetë e gatshme që t’i ulë armët.

    Sidoqoftë, çfarë është fare e qartë është që Vladimir Putin nuk ka hesap ta vazhdojë luftën kështu, apo të mos i kthehet ‘Fitoreve të kufizuara’  (në lindjen e Ukrainës), duke synuar kështu përfundimit të kësaj aventure të nisur, siç po kuptohet gjithnjë e më shumë, pa kurfarë analize serioze, apo, pa i bërë llogaritë e domosdoshme në këtë rast.

    Zhvillimet në frontet e Ukrainës, të kombinuara me sanksionet e Perëndimit kundër Rusisë, të pashembullta në historinë e re të Evropës  (dhe të Botës), duket që kanë bërë që Putin më në fund të nisë t’i bëjë hesapet e veta për të dalë disi nga kjo baltë në të cilën e futi veten dhe Rusinë.

    Rusia dhe vet Putin, qyshdoqoftë që do të përfundojë ky kapitull i historisë së re të luftërave në Evropë, i cili siç është thënë shumë herë deri tash ka rrënuar Rendin ndërkombëtarë, do të dalin më të dobët se sa para 24 shkurtit, kur nisi agresioni i Rusisë.

    Fuqia ushtarake dhe politike e Rusisë është në shpërputhje të madhe me shtrirjen gjeografike të saj, dhe me numrin e popullatës.

    Njëra prej deklaratave më të cituara dhe më të interpretuara të Putinit që prej se është bërë lider i Rusisë, ka qenë ajo për zhbërjen e Bashkimit Sovjetik si katastrofës më të madhe gjeopolitike të Shekullit XX.

    Krejt çfarë ka ndodhur në këto gati dyzet ditët e luftës në Ukrainë, na shfaqet me një qëndrim të ri, sipas të cilit kjo luftë do të mund të definohet si katastrofa më e madhe politike e Vladimir Putinit dhe e Rusisë.

    Brenda dyzet ditëve, Putin bëri shkrumb e hi atë që u përpoq ta ndërtojë në 22 vitet e kaluara.

    Nga Rubrika
    Opinione03 Janar 2025
    Nga Richard Kemp: Ndërsa viti 2025 ka filluar, pesimizmi për fatin e Ukrainës rri pezull në ajër, ndërsa kutërbimi i paqësimit ndihet...
    Opinione02 Janar 2025
    Ekipi i sapozgjedhur i BE në Bruksel në 2024 ka shumë për të bërë. Si mund të arrihet kjo pa një tandem...
    Opinione01 Janar 2025
    Shkruan: Blerim Shala Viti 2025, i cili tashmë i ka hapur portat për të gjithë ne, do të jetë politikisht një vit...
    Të tjera
    Vip03 Janar 2025
    Gjatë ‘Prime’, Xheneta ka folur për mashkullin të cilin la një njohje jashtë. Në momentin kur ajo filloi të flasë për këtë...
    Lajme03 Janar 2025
    Me depërtimin e frontit të ftohtë, të shtunën parashikohet që gjatë orëve të para të 24-orëshit e deri në mëngjes të ketë...
    Sport03 Janar 2025
    Ish-kampioni i UFC-së, Conor McGregor ka ‘konfirmuar’ atë që ai dhe Logan Paul mund të fitojnë në një ndeshje të mundshme boksi....
    Lajme03 Janar 2025
    Presidenca e Kosovës ka reaguar pas certifikimit të Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), duke thënë vendimi duhej të ishte...
    Vip03 Janar 2025
    Gjesti ka qëndruar për rreth gjysmë ore duke u pastruar në banjo. Ai ka hargjuar pothuajse gjithë ujin e ngrohtë për banorët....
    Lajme03 Janar 2025
    Një 47 vjeçar ka vdekur në rrethana të dyshimta mbëmjen e sontme në Lagjen Dardania në Prishtinë. Rastin për Front Online e...

    FrontOnline, © 2025 Të gjitha të drejtat e rezervuara.