Vetëm gjatë vitit që lamë pas, janë arrestuar 16 persona për prostitucion. Ndërsa për veprën ‘mundësimi ose detyrimi në prostitucion’ janë arrestuar 36 persona.
Ndryshe nga viti i kaluar, gjatë pesëmujorshit të këtij viti në qendrat ku ushtrohet kjo veprimtari janë vënë në pranga 3 të dyshuar dhe 3 persona të tjerë për detyrim në prostitucion.
Këto statistika janë siguruar nga Policia e Kosovës për Front Online.
Sociologu tregon faktorët kryesorë që çojnë deri tek marrja me prostitucion
Ndikimi i alkoolit, mungesa e edukimit në shkolla, papunësia dhe varfëria janë disa nga shkaqet kryesore që çojnë deri tek marrja me prostitucion.
Kështu vlerëson për Front Online sociologu, Ferdi Kamberi.
Kamberi tha se këtë fenomen shtetet e zhvilluara e kanë nën kontroll, ndryshe nga ato në tranzicion.
“Prostitucioni është fenomen social që ka përfshirë shoqërinë moderne. Ai ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve seksuale me pagesë. Përderisa për shtetet në tranizicion, kontrolli i tij është më problematik, në shtetet e zhvilluar kryesisht këtë fenomen e kanë në kontroll përmes formave të ndryshme”, potencoi ai.
Sociologu kosovar ka numëruar faktorët që çojnë deri tek marrja me prostitucion.
“Ky fenomen shpërfaqet nga një mori e disa faktorëve: së pari mungesa e një kuadri ligjor i cili do të ndikonte që kryerësit e veprave të tilla të kenë dënime, mungesa e komunikimit brenda familjes, mos komunikimi adekuat në mes të prindërve dhe fëmijëve, mungesa e edukimit në shkolla, mungesa e vetëdijesimit të shoqërisë mbi shkaqet dhe pasojat, problemet familjare, problemet martesore, abuzimi me gra dhe me vajza, papunësia dhe varfëria e lartë, ndikimi i alkoolit dhe substancave psiko-aktive, si dhe faktorë të tjerë”, u shpreh Kamberi.
Sociologu Kamberi: Të zhvillohen kampanja vetëdijesuse në shkolla për ndalimin e veprimtarisë së prostitucionit
Mosha që dominon në veprimtarinë e prostitucionit në vend, sipas Ferdi Kamberit fillon nga 18 deri 45 vjeç, por nuk mungojnë edhe moshat më të reja.
“Sa i përket moshave, ato janë kryesisht moshat e reja të cilat janë pre e prostitucionit dhe dominojnë moshat 18 – 45, por në disa raste moshat janë edhe më të reja“, tha Kamberi.
Sociologu Kamberi ka deklaruar se për ndalimin e rasteve të shumta të prostitucionit, institucionet e vendit duhet të kenë mekanizma ligjorë.
Ai thotë se nuk duhet të mungojnë kampanja vetëdijesuse në shkollë për ndalimin e kësaj veprimtarie.
“Në minimizimin e tij është e nevojshme që të ketë komunikim brenda familjes, në mënyrë që mos të shpërfaqen probleme, abuzime, dhunë. Duhet të ketë kampanja vetëdijesuese, qoftë në shkolla apo përmes mediave apo programeve tjera, nëse ka raste të ushtrimit të prostitucionit ose trafikimit me qenie njerëzore, duhet bashkëpunuar ngushtë me organet e drejtësisë, e rëndësishme është që institucionet e vendit të kenë mekanizma ligjor të dënimit për personat që merren me prostitucion”, përfundoi Kamberi për Front Online.
Ndryshe, bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës, veprimtaria e Marrjes me Prostitucion është e ndaluar dhe e sanksionuar me ligj, përkatësisht Ligji mbi Rendin dhe Qetësinë Publike nr. 03/L-142 neni 7.
Sipas këtij ligji, kushdo që përfshihet në një akt seksual të prostitucionit mund të dënohet me gjobë ose burgim./Front Online