U.D. Kryeshefit Ekzekutiv në ndërmarrjen Trepça Sh.A., Enes Muzaqi, ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë, ndërsa në vend të tij është emëruar dikush tjetër.
Pas dorëheqjes së kryeshefit Enes Muzaqi, në pozitën e U.D. të Kryeshefit të Trepçës është emëruar Rafet Ibishi, i cili deri më tash ishte U.D. i Zëvendës-Kryeshefit të Trepçës.
E, në një përgjigje për Front Online, Muzaqi ka treguar edhe arsyet e dorëheqjes.
Ai ka thënë se shkak kryesor ka qenë gjendja e tij shëndetësore.
“Arsyeja e dorëheqjes ka qenë për aspekte shëndetësore që kam pasur sidomos në muajt e fundit dhe pozicioni i Kryeshefit në Trepçë ka një ka një angazhim të jashtë zakonshëm dhe e pash që nuk do të mund të jem një kohë të u ndihmoj përderisa të përmirësohem në asketin shëndetësorë”, ka deklaruar Muzaqi për Front Online.
Ndërsa, i pyetur se a është vetëm kjo arsyeja e dorëheqjes së tij, Muzaqi ka deklaruar se nuk ka asrye tjetër.
“Jo absolutisht nuk ka pasur asnjë presion, nuk ka qenë ndonjë arsye tjetër që m’ka shty me marrë ketë vendim”, ka thënë ai.
Ndërsa, ka treguar se pas kësaj është rikthyer në pozitën e mëhershme në Trepçë.
“Tash prapë do të jem pjesë e Trepçës tash jam kthy në pozicionin që kam qenë më herët Drejtor për Hulumtim, Zhvillim dhe Mjedis”, ka thënë ai, për Front Online.
Në këto pozita paraprake Muzaqi e Ibishi ishin emëruar nga Bordi i Ndërmarrjes në nëntor të vitit 2020.
Kujtojmë se muajve të fundit Trepça kishte pas probleme të mëdha financiare, duke ua vonuar me mbi një muaj pagat punëtorëve.
Po ashtu viteve të fundit Trepça është zhytur në borgje të mëdha financiare, të cilat kapin shifra disa milionëshe./Front Online