Nga: Simon Tisdall, The Guardian
Çështja urgjente e anëtarësimit të Ukrainës, pritet të dominojë në samitin kryesor të kësaj jave, të 31 shteteve të NATO-s – në Vilnius, në kryeqyteti e Lituanisë. Volodymyr Zelenskiy e di se ftesa e praruar zyrtare nuk ka gjasa të arrijë, përderisa vendi i tij është ende në luftë me Rusinë. Por, udhëheqësi i Ukrainës po i kërkon presidentit amerikan Joe Biden, si dhe liderëve të aleancës, që të ndërmarrin “hapa konkretë”, të menjëhershëm, duke i përfshirë garancitë e sigurisë, një udhërrëfyes dhe afatin kohor. Zelenskiy pohon se kjo do ta rriste moralin dhe se Vladimir Putinit do t’ia dërgonte një mesazh të qartë.
Zelenskiy ka të drejtë. Ashtu si Finlanda, pranimi i Ukrainës duhet të jetë i shpejtë. Megjithatë, ndonëse kjo çështje është e rëndësishme, NATO këtë javë përballet me një çështje shumë më të madhe: nëse po bën sa duhet për të qenë e sigurt se Kievi do ta fitojë luftën – ose të paktën të mos e humbasë.
Ekziston rreziku nëse kundërofensiva aktuale nuk shkakton ndonjë përparim, nëse furnizimet me armë mbarojnë, nëse një krizë e re energjetike dimërore godet dhe mbështetja e publikut perëndimor bie edhe më tej, për çfarë Zelenskiy detyrohet të kërkojë negociata – madje, për të bërë tregti me territorin, në këmbim të paqes. Bisedimet jozyrtare sekrete ShBA-Rusi, tashmë janë duke u zhvilluar. Nëse Ukraina tashmë do të ishte anëtare e NATO-s, siç u premtua 15 vjet më parë, e gjithë kjo nuk do të ndodhte.
Megjithatë, Bideni edhe tash refuzon të shkojë përtej përforcimeve afatgjata të “angazhimeve për sigurinë”. Rishi Sunak shprehet në mënyrë të paqartë se “vendi i duhur” është në NATO. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, si zakonisht përpiqet në dy mënyra. Kancelari i padukshëm i Gjermanisë, Olaf Scholz, nuk do ta diskutojë anëtarësimin e Kievit, derisa lufta të mbarojë.
Ata pretendojnë se po veprojnë me përgjegjësi. Por, kjo sjellje e ndrojtur dhe shumë e njohur, që i kufizon në mënyrë të panevojshme dhe të pamatur veprimet e NATO-s, në fakt i ka rrënjët në frikën amerikane dhe evropianoperëndimore se Putini i provokuar mund të sulmojë.
Është mendim kaq sipërfaqësor. Edhe kur ishte esëll dhe gjërat shkonin në favorin e saj, ushtria ruse e gafave nuk i mundi rezervistët e Ukrainës. Me gjithë kërcënimet, Putini gjithashtu i frikësohet konfliktit Rusi-NATO. Për të do të ishte vetëvrasje politike dhe ushtarake.
Pamja e NATO-s nga Lindja, fatmirësisht është më e fortë. “Dëgjoj shumë [vende] duke thënë se ne nuk duhet ta bëjmë këtë apo atë, sepse e provokon Putinin ose Rusinë, veçanërisht me përdorimin e armëve bërthamore”, ka thënë javën e kaluar, Kaja Kallas, kryeministre e Estonisë. “Këto kërcënime janë për të na frikësuar. Përkufizimi i terrorizmit është që të na frikësojë, që të përmbahemi nga vendimet që ndryshe do t’i merrnim. Dhe, kjo është ajo që ata [Rusia] po përpiqen të bëjnë”.
Anëtarët e NATO-s të Evropës Lindore, të bashkuar si “Nëntëshja e Bukureshtit” të sapoformuar, muajin e kaluar e lëshuan një thirrje nxitëse për armët, duke këmbëngulur se mposhtja e agresionit rus ishte “e vetmja mënyrë për ta rivendosur paqen dhe rendin në Evropë, bazuar në rregulla”.
Nëntëshja – Bullgaria, Republika Çeke, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Polonia, Rumania dhe Sllovakia – që të gjitha iu bashkuan NATO-s pas rënies sovjetike të vitit 1991. Ata e kërkuan një “rrugë të re politike, që do të çojë në anëtarësimin e Ukrainës … sapo këtë ta lejojnë kushtet”. “Nuk duhet të hezitojmë të marrim vendime më të guximshme, sepse regjimi i Putinit përndryshe mendon se aleatët perëndimorë janë shumë të dobët (dhe kur) të shtyhen në qoshe, ata do të dorëzohen”, tha presidenti i Lituanisë dhe mikpritës i samitit, Gitanas Nauseda.
Kundërshtimi kryesor ndaj këtij argumenti u përmblodh nga ish-ambasadori amerikan i NATO-s, Ivo Daalder. “Problemi me të cilin përballen vendet e NATO-s është se për sa kohë që konflikti vazhdon, futja e Ukrainës në aleancë është e barabartë me bashkimin në luftë”, paralajmëroi ai.
Por, ka precedentë. Gjermania Perëndimore e fitoi mbrojtjen e NATO-s në vitin 1955 edhe pse, si Ukraina, ishte në mosmarrëveshje për territorin e pushtuar sovran – të mbajtur nga Gjermania Lindore, një kukull sovjetike. Në mënyrë të ngjashme, ombrella mbrojtëse e NATO-s mund të shtrihet në mënyrë të arsyeshme, për të mbuluar afërsisht 85 për qind të territorit ukrainas që aktualisht Kievi e kontrollon.
Kjo do të siguronte mbrojtje të zgjeruar nga ajri, raketat dhe dronët, pa “u bashkuar me luftën”. Gjithashtu, do të lejonte përgjigjet ushtarake të NATO-s, nëse forcat ruse, të bazuara në territorin e pushtuar ose në ujërat e Detit të Zi, do të zgjidhnin të kryenin sulme të tjera kriminale ndaj civilëve, siç ishte sulmi që vrau shtatë njerëz të enjten në Lviv.
Anders Rasmussen, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, së fundmi e ngriti mundësinë që Polonia dhe shtetet baltike të dërgojnë trupa tokësore, për të ndihmuar në luftimin e forcave ruse në tokën ukrainase – nëse NATO si tërësi nuk arrin ta ndërmarrë një qëndrim më të guximshëm.
“Mendoj se polakët e konsiderojnë seriozisht hyrjen dhe të mbledhin një koalicion të vullnetarëve, nëse Ukraina nuk merr asgjë në Vilnius”, ka thënë Rasmussen. “Polakët mendojnë se Evropa Perëndimore për një kohë të gjatë nuk i dëgjoi paralajmërimet e tyre kundër mentalitetit të vërtetë rus”.
Kjo pikëpamje e fundit mbështetet fuqimisht nga A Wess Mitchell, ish-ndihmës-sekretar amerikan i Shtetit, i cili pohon se disa qeveri të Evropës Perëndimore, pre e “tabuve të vjetra kundër antagonizimit të Rusisë”, këtë ende nuk e kuptojnë.
Ndonëse armët po rrjedhin në Kiev, premtimet për ta rritur mbrojtjen e krahut lindor “mbeten kryesisht të paplotësuara”, shkroi Mitchell. Që nga fillimi i luftës, për shembull, prania e trupave franceze në lindje të NATO-s është rritur “nga 300 në 969 … dhe e Italisë nga 350 në 385”.
Në të kundërtën, “anëtarët lindorë të NATO-s kanë ndërmarrë veprime historike që së shpejti do ta shohin Poloninë teksa zotëron më shumë tanke sesa e gjithë Evropa Perëndimore së bashku”. Ndërkohë, prania e trupave amerikane është rritur nga pesë mijë në rreth 24 mijë.
Është e rëndësishme shmangia e ndarjeve rreth anëtarësimit të Ukrainës (dhe Suedisë). Shumë më e rëndësishme është që të gjitha vendet e NATO-s t’i kuptojnë krejtësisht implikimet më të gjera të dështimit të Ukrainës në zmbrapsjen e agresionit rus.
Nëse kjo do të ndodhte, Evropa Lindore dhe Qendrore, rajoni nordik dhe Ballkani do të destabilizoheshin. NATO do të detyrohej të bëhej gati për luftë. E drejta ndërkombëtare do të shkatërrohej. Një precedent do të krijohej për Kinën mbi Tajvanin.
Ukraina do të ndahej në mënyrë efektive. Dhe, Putini e banda e tij e lumtur, duke i shpëtuar drejtësisë do të ishin të lirë t’i bënin të gjithat përsëri, atje ose diku tjetër. Pra, ju lutem, jo më kushte, bishtnime dhe paralajmërime të matura. NATO duhet të çlirojë fuqinë e saj të konsiderueshme, për ta siguruar fitoren e Ukrainës./Telegrafi