Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt ku nga drejtori i këtij institucioni, Jeton Zeqiri dhe personeli aty u informuan për punën që po bëhet në menaxhimin e rasteve me COVID-19, por edhe të rasteve me sëmundje të tjera.
Gjatë kësaj vizite, këtij spitali iu dërguan edhe dy respiratorë dhe një autoambulancë, pjesë e kontingjentit të asistencës së BE-së për Kosovën për t’iu përgjigjur situatës me COVID-19, derisa një ditë më parë, MSH ka furnizuar spitalin me 24 mijë maska, 900 palë veshje mbrojtëse, 990 dezinfektues.
Ministri Zemaj tha se bashkë me SHSKUK-në janë angazhuar në zgjerimin e kapaciteteve spitalore për të përballuar fluksin e rritur të pacientëve që kanë nevojë për trajtim spitalor si në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ashtu edhe në spitalet e përgjithshme.
“Krahas zgjerimit të kapaciteteve për tretman spitalor, jemi duke rritur edhe numrin e personelit dhe, gjithashtu, edhe duke zhvilluar procedura edhe për rritjen e kapaciteteve diagnostikuese përmes shtrirjes së testimeve edhe në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike. Në këtë mes, edhe QRSHP në Ferizaj do të pajisjet me aparaturën për testime molekulare, ndërkohë që, nga stafi i ri që do të rekrutohen, një numër do të jetë për Spitalin e Ferizajt”, tha Zemaj.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të SHSKUK-së Valbon Krasniqi, tha se kjo qendër ka bërë decentralizimin e shërbimeve me qëllim që pacientëve në secilin rajon t’u ofrohen më lehtë shërbimet, derisa, krahas sfidave ditore për trajtimin e pacientëve me Covid-19, po ngrihen edhe kapacitete të reja në këtë kohë mjaft sfiduese.
Drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se QRSHP -Ferizaj do të mund të nisë me testime me vendosjen e aparaturës së re në këtë qendër, derisa një pjesë e objektit të ri do të mund të jetë edhe në funksion të rritjes së shtretërve për trajtimin e pacientëve të prekur nga Covid-19, sidomos në stinën e vjeshtës.
Ndryshe, Spitali i Ferizajt ka vënë në funksion të trajtimit të pacientëve me COVID-19 rreth 70 shtretër.