Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë ankesën e palës mbrojtëse kundër caktimit të masës së paraburgimit prej një muaji ndaj 30 të pandehurve për kontrabandim me mallra, organizim të skemave piramidale dhe bixhoz të paligjshëm.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Gjilan, i datës 20. 09.2020, me anë të së cilit të pandehurit F.L. dhe 29 të tjerëve u është caktuar masa e paraburgimit deri më datën 17 përkatësisht 18 tetor, ka mbetur në fuqi.
Gjykata e Apelit vlerësoi se ekziston dyshimi i bazuar se nëse të pandehurit gjenden në liri, ata mund të ndikojnë në prova apo dëshmitarë dhe të pengojnë rrjedhën normale të procedurës penale ose ta përsërisin veprën penale.
Gjykata ka shqyrtuar konform ligjit edhe masat tjera të cilat i parasheh Kodi i Procedurës Penale, por ka konstatuar se ato nuk janë të mjaftueshme për zbatimin me sukses të procedurës penale.
Sipas prokurorisë, i pandehuri F.L. dyshohet se ka kryer veprat penale kontrabandim me mallra, organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.
Të pandehurit H.K., S.K., I.S., F.K., A.K., F.Z., R.TH., S.G., S.N., S.M.., Z.A. D.S., A.Th., A.S., B.S., F.S., A.S., N.K., S.D., B.S, F.S., Sh.S., E.K., F.S. dhe V.S. dyshohen për veprën penale kontrabandimi me mallra, ndërsa, Y.F., RR.G., N.Ç. dhe L.G., për veprën penale organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.